Janari sjell rënie të turistëve në Shqipëri, INSTAT: -1.5% krahasuar me një vit më parë

Më pak shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë janarit 2026. Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin e parë të vitit u regjistruan 552 mijë hyrje të të huajve, një rënie prej 1.5% krahasuar me janarin 2025.

Ekspertët e konsiderojnë këtë si rënien e parë të hyrjeve turistike në janar që nga periudha e pandemisë. Pas vitit 2022, Shqipëria u shndërrua në një destinacion të preferuar, me zgjatje të sezonit turistik përtej verës dhe rritje të vizitave në qytete si Tirana, Berati, Gjirokastra dhe Korça. Në janar 2025 hyrjet u rritën me 14.5%, ndërsa në 2024 zgjerimi arriti gati 30%.

Aktorët e tregut turistik theksojnë se moti i keq gjatë janarit ka ndikuar negativisht në fluksin e vizitorëve. Tendenca e ngadalësimit kishte nisur që në vitin 2025, kur rritja e hyrjeve të të huajve ishte vetëm 6.6%, niveli më i ulët që nga pandemia.

Ndërkohë, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit shënuan rritje prej 3.3%.

Në total, gjatë janarit 2026 hynë në territorin shqiptar 1,196,550 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa dolën 1,343,073 persona, me një rënie prej 1.3%.

Sipas INSTAT, 98% e hyrjeve të të huajve janë për qëllime personale. Vizitorët vijnë kryesisht nga Evropa Jugore, që përbën 88% të hyrjeve nga Evropa, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6%.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033