“Jam njeri, jo robot” – Zegjina Çaushi reagon pas lapsuseve në Kuvend: “Po gërmoni për gabime, e rëndësishme është puna ime”

Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjina Çaushi, ka reaguar pas qarkullimit të një tjetër videoje virale nga foltorja e Kuvendit, ku ajo shihet duke bërë lapsuse gjatë fjalimit. Kjo nuk është hera e parë që deputetja vihet në qendër të vëmendjes për mënyrën e të folurit, por këtë herë ajo ka zgjedhur të publikojë një mesazh të qartë në rrjetet sociale.

Në reagimin e saj, Çaushi thekson se vëmendja e tepruar ndaj gabimeve të vogla është e pakuptimtë dhe nuk lidhet me punën që ajo kryen çdo ditë si përfaqësuese e qytetarëve. Ajo shton se çdo person mund të ngatërrojë një fjalë apo të bëjë një ndalesë të shkurtër gjatë një fjalimi, por sipas saj, këto detaje nuk duhet të errësojnë thelbin e mesazhit apo angazhimin politik.

“Të merresh me ndonjë shkronjë ose fjalë që ngatërrohet, apo me një ndalesë të vogël gjatë fjalimit, është absurde. Jemi njerëz, jo robotë.”

Deputetja nënvizon se e rëndësishme është përmbajtja, puna e saj dhe mesazhi që përcjell, jo lapsuset që disa zgjedhin t’i theksojnë.

Ajo shton më tej:

“Këto gjëra nuk ndryshojnë asgjë nga përgjegjësia dhe angazhimi im i përditshëm për qytetarët. Nëse dikush gërmon e gërmon për gabime, patjetër që do të gjejë. Më ngelet t’ju them vetëm: Puna mbarë.”

Me këtë reagim, Çaushi duket se kërkon të mbyllë debatin mbi lapsuset e saj, duke zhvendosur vëmendjen te puna e përditshme dhe angazhimet parlamentare.

Ndaj Postimin: