Ja si e përshkruan Angeline Jolie rolin e Maria Callas, sfidat e të luajturit e një figure kaq ikonike.

Angelina Jolie, ylli i Hollivudit, e përshkruan portretizimin e Maria Callas, një nga sopranot më të mëdha të të gjitha kohërave, si një përvojë të frikshme, por edhe terapeutike.

Duke folur për rolin e saj në filmin “Maria” të regjisorit Pablo Larrain, Jolie reflekton mbi sfidat e të luajturit një figurë kaq ikonike. Filmi sjell në jetë ditët e fundit të Callas në Paris, kur ajo përballej me një varësi nga ilaçet për ankthin, ndërsa kujtonte të kaluarën e saj të lavdishme, por të trazuar.

“Natyrisht, fillimisht isha shumë nervoze për ta luajtur atë,” tregon Jolie, duke theksuar se emocionet janë shpesh arsyeja pse një aktor pranon të interpretojë role sfiduese. Në premierën e filmit në Festivalin e Filmit në Londër, Jolie theksoi se “Maria” është shumë më tepër sesa një histori rreth një këngëtareje të madhe. “Është historia e një qenieje njerëzore që përballet me fundin e jetës së saj, dikush që e kupton se mund të mos ketë më shumë për të bërë në këtë botë, por gjithsesi e bën me një bukuri dhe gëzim të brendshëm.”

Për Jolie, roli i Callas ishte një sfidë që e bëri të reflektonte mbi gjykimet me të cilat gratë shpesh përballen në jetë, qoftë për pamjen, marrëdhëniet, apo karrierën e tyre. “Maria u gjykua për gjithçka: pamjen, jetën, zërin e saj. Pavarësisht sfidave, ajo arriti të përçonte një ndjenjë të thellë tragjike, por edhe të gëzueshme,” thotë Jolie.

Për këtë rol, Jolie iu desh të kalonte muaj duke stërvitur zërin e saj për të kënduar, diçka që e konsideron si një proces rizbulimi të vetvetes. “Nuk e dija që mund të këndoja. Ishte një kohë e gjatë që nuk e kisha përdorur zërin tim në këtë mënyrë, dhe kjo më bëri të ndihesha e çliruar. Ishte një eksperiencë terapeutike,” ndan ajo.

Filmi “Maria” përfshin kryesisht repertorin origjinal të Callas, por në disa pjesë, është zëri i Jolie ai që mbizotëron. Kjo nuk është hera e parë që regjisori Pablo Larrain realizon një biografi mbi gratë e fuqishme, siç ka bërë më parë me filmat për Jackie Kennedy dhe Princeshën Diana. Callas, një yll i operës me një karrierë madhështore, kaloi vitet e fundit të jetës së saj në vetmi, pas ndarjes me të dashurin e saj Aristotle Onassis. Ajo ndërroi jetë në vitin 1977, në moshën 53-vjeçare.

Ndaj Postimin: