Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtares së Korçës, Sonjela Voskopi, ka hyrë në një fazë vendimtare, ku pyetjet për pasurinë, konfliktin e interesit, figurën dhe profesionalizmin janë vënë sërish në qendër të vëmendjes nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Megjithëse ajo u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në maj të vitit 2024, vendimi është ankimuar dhe tashmë pesha e dyshimeve po rishqyrtohet në të tre kriteret e vetingut.
Drejtuesi i SPAK, përmes përfaqësuesit të tij në këtë proces, kërkon që çështja të analizohet nga e para dhe që KPA të marrë një vendim alternativ: ose shkarkimin, ose lënien në fuqi të konfirmimit. Në thelb, ankimi vë në pikëpyetje mënyrën se si gjyqtarja ka kaluar filtrat e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, duke sugjeruar se standardi i besueshmërisë nuk është arritur.
Dyshime mbi figurën dhe bashkëshortin
Një nga pikat më problematike të çështjes lidhet me kriterin e pastërtisë së figurës. Gjatë hetimit administrativ, Komisioni kishte kryer verifikime edhe për bashkëjetuesin e gjyqtares, por sipas SPAK, këto verifikime janë zhvilluar mbi të dhëna të pasakta.
Rezulton se Komisioni i kishte përcjellë SPAK-ut të dhëna për një person me gjeneralitete që nuk përkonin me bashkëshortin real të subjektit. Konkretisht, ishte kërkuar informacion për një shtetas të lindur në vitin 1948, ndërkohë që bashkëshorti i gjyqtares ka lindur në vitin 1980. Kjo mospërputhje ka bërë që SPAK të mos japë përgjigje relevante, duke lënë bosh një hallkë kyçe të procesit të verifikimit.
Kjo situatë e ka detyruar KPA-në të pranojë kërkesën për verifikime të reja pranë SPAK, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë dhe saktësinë e hetimit fillestar. Vetë gjyqtarja ka deklaruar se bëhet fjalë për një gabim të Komisionit, duke sqaruar se ndaj bashkëshortit të saj nuk ka asnjë procedim penal dhe se nuk ka pasur arsye të kërkonte informacion shtesë.
Konflikti i interesit: avokati i shtetit në sallë, gjyqtarja në trup gjykues
Një tjetër pikë e nxehtë e ankimit lidhet me profesionalizmin dhe konfliktin e interesit në dukje. SPAK ka sjellë në vëmendje faktin se gjyqtarja Voskopi ka gjykuar çështje ku palë ishte Zyra e Avokatit të Shtetit, institucion i drejtuar në atë kohë nga bashkëshorti i saj.
Sipas ankimit, subjekti nuk ka treguar kujdesin e duhur për t’u tërhequr nga këto çështje, duke u vendosur në kushte konflikti interesi në dukje. Kjo sjellje, sipas prokurorit, duhet të merret në konsideratë në vlerësimin tërësor të figurës dhe profesionalizmit të saj.
Nga ana tjetër, gjyqtarja ka këmbëngulur se konfliktin e ka shmangur rast pas rasti, duke argumentuar se drejtuesi i Avokaturës së Shtetit nuk ushtron ndikim mbi avokatët konkretë që përfaqësojnë çështjet në gjykatë. Megjithatë, pikërisht ky raport institucional është ajo që SPAK e konsideron problematik në aspektin e perceptimit publik dhe etikës gjyqësore.
Vendimet e Gjykatës së Lartë dhe hierarkia e jurisprudencës
Në kriterin e profesionalizmit, ankimi thekson se gjyqtarja nuk ka respektuar hierarkinë e vendimeve të Gjykatës së Lartë, duke mos zbatuar në mënyrë të njëtrajtshme orientimet e saj. Sipas SPAK, subjekti nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për këto konstatime.
Gjyqtarja e kundërshton këtë qëndrim, duke deklaruar se në disa raste Gjykata e Lartë ka dhënë arsyetime të përgjithshme, pa orientime konkrete për zbatim. Ajo ka theksuar se nuk mund të penalizohet për çështje që lënë hapësirë interpretimi, apo për faktin se vendimet e saj janë ndryshuar në shkallë më të lartë.
Pasuria: apartamenti, mobilimi dhe bilancet negative
Në fokus të ankimit është edhe një apartament në Korçë, i blerë nga prindërit e gjyqtares në vitin 2012 dhe i përdorur prej saj nga viti 2015. Sipas SPAK, çmimi i blerjes rezulton dukshëm më i ulët se ai referencë, ndërsa një pjesë e burimeve financiare nuk provohen ligjërisht, duke krijuar një bilanc negativ rreth 340 mijë lekë.
Problematike konsiderohet edhe mobilimi i apartamentit, për të cilin nuk provohet ligjshmëria e një shume prej rreth 500 mijë lekësh, si dhe kursimet e deklaruara, që sipas llogaritjeve rezultojnë me një tjetër balancë negative prej rreth 750 mijë lekësh.
Gjyqtarja ka kundërshtuar këto përllogaritje, duke akuzuar Komisionerin Publik për përdorim të dy standardeve dhe për vendosjen e saj në një pozitë të pabarabartë krahasuar me subjekte të tjera që nuk janë ankimuar në rrethana të ngjashme. Ajo ka argumentuar se të ardhurat e familjes së origjinës dhe të prindërve të bashkëshortit nga bujqësia dhe pemtaria nuk janë marrë në konsideratë në mënyrë të drejtë.
Vendimi ende pezull
Në përfundim, KPA ka vendosur hapjen e shqyrtimit gjyqësor, administrimin e provave shtesë dhe aksesimin e informacionit të klasifikuar. Gjithashtu, janë kërkuar verifikime të reja nga SPAK lidhur me bashkëshortin e gjyqtares.
Seanca e radhës është caktuar për 4 shkurt, ku pritet që palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare. Deri atëherë, mbetet e hapur pyetja thelbësore: a po e mban gjyqtarja e Korçës detyrën “me thonj”, apo do të rrëzohet nga pesha e dyshimeve që vetingu ende nuk i ka shuar?