Ja gjeopolitika nën udhëheqjen e Trump, si do të lëvizin gurët në katër vitet e ardhshme.

Donald Trump është rikthyer si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përballë tij janë një sërë sfidash, dhe pritshmëritë për qasjet e tij në politikën e jashtme janë të larta. Ndër çështjet kryesore janë lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, dhe marrëdhëniet me Evropën dhe Kinën.

Në lidhje me Ukrainën, Trump ka bërë disa premtime interesante. Ai ka deklaruar se do të përpiqet ta shtyjë Presidentin Zelensky të negociojë një marrëveshje me Presidentin Putin, ndoshta duke përfshirë disa lëshime territoriale nga ana e Ukrainës. Kjo qasje mund të çojë në reduktimin e ndihmës amerikane për Ukrainën, gjë që shqetëson shumë liderët ukrainas dhe mbështetësit e tyre. Gjithçka do të varet nga qëndrimi që do të mbajë Evropa dhe mundësitë e saj për të mbuluar një pjesë të boshllëkut që mund të krijohet.

Nga ana tjetër, nuk është e sigurt nëse Putin do të pranojë një marrëveshje të tillë. Nëse Rusia vazhdon me qëndrimin e saj të ashpër, Trump do të jetë në një pozitë të vështirë për të balancuar një qëndrim pro-Ukrianës. Megjithatë, disa analistë nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të rrisë mbështetjen për Ukrainën nëse kjo do të shërbente për të ndihmuar SHBA-në në planet e saj më të mëdha gjeopolitike.

Në Lindjen e Mesme, situata po zhvillohet me shpejtësi, dhe Trump mund të japë mbështetje të fortë për Izraelin. Nëse konflikti me Hamasin, Hezbollahun apo Iranin përshkallëzohet, Trump ka treguar se mund t’i japë Izraelit liri më të madhe veprimi. Gjithashtu, ai mund të mbështesë idenë e një marrëveshjeje të re për paqe në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Izraelin dhe Arabinë Saudite në një marrëveshje që do të ndryshonte raportet në rajon.

Kina është një tjetër pikë e rëndësishme në agjendën e Trump-it. Ai ka përmendur rritjen e tarifave ndaj produkteve kineze, çka do të tensiononte marrëdhëniet tregtare dhe mund të përkeqësonte ekonominë globale. Ndoshta kjo do të ketë efekt zinxhir dhe do të shtyjë edhe Evropën të rishikojë marrëdhëniet ekonomike me Kinën. Për më tepër, shumë janë kuriozë të shohin nëse ai do të ndërmarrë hapa të fortë për të mbrojtur Tajvanin nga ndonjë kërcënim kinez.

Marrëdhënia e Trump-it me Evropën do të ketë gjithashtu ndikim. Ai ka theksuar shpesh që Evropa duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen e saj. Nëse Trump vendos tarifa për mallrat evropiane që hyjnë në tregun amerikan, kjo mund të krijojë një tension ekonomik të paparashikuar, duke nxitur Evropën të rrisë bashkëpunimin e saj për mbrojtje dhe të ndërtojë një qasje më të bashkuar ndaj ekonomisë dhe marrëdhënieve me Kinën.

Këto janë vetëm disa nga skenarët e mundshëm që analistët parashikojnë. Sido që të jenë, është e qartë se presidenca e dytë e Trump-it do të sjellë zhvillime të reja në skenën ndërkombëtare.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera