Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë pranuar se rrëfimi i tyre në lidhje me vrasjen e 15 mjekëve palestinezë dhe punonjësve të shpëtimit në Gaza ishte i pasaktë, sipas një hetimi të brendshëm. Ky incident ka ndodhur më 23 mars, kur një grup ushtarësh izraelitë qëlluan mbi një kolonë ambulancash të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, një makinë të OKB-së dhe një kamion zjarrfikës të Mbrojtjes Civile të Gazës pranë qytetit Rafah.
Në fillim, IDF-ja kishte pretenduar se kolona e automjeteve po udhëtonte në errësirë dhe kishte lënë dritat e fikura, duke ngjallur dyshime për qëllime të mundshme militare. Megjithatë, një video e publikuar nga New York Times ka treguar të kundërtën: ambulancat ishin të shënuara qartë dhe kishin fenerët ndezur, ndërsa mjekët mbanin veshje reflektuese në momentin që u qëlluan mbi ta në lagjen Tel Sultan të Rafah.
Një zyrtar i IDF-së pranoi në një konferencë për shtyp se ushtarët izraelitë kishin gabuar duke i identifikuar mjekët dhe punonjësit e shpëtimit si luftëtarë të Hamasit. Sipas tij, ky incident do të hetohet me kujdes dhe do të merren masa për të shmangur që ngjarje të tilla të përsëriten në të ardhmen.
Hetimi ka zbuluar se IDF kishte ngritur një pritë në rrugë rreth orës 4 të mëngjesit të datës 23 mars. Rreth gjysmë ore më vonë, një automjet i policisë së Hamasit ka kaluar pranë ushtarëve dhe është shkëmbyer zjarr, duke lënë të vrarë një militant dhe dy të tjerë të kapur. Pas kësaj ngjarjeje, ushtarët izraelitë kanë hapur zjarr ndaj kolonës së ambulancave, duke rezultuar në vrasjen e 15 mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shpëtimit.
Sipas gjetjeve të IDF-së, një operator i dronëve kishte njoftuar ushtarët për lëvizjen “dyshuese” të kolonsë, duke sugjeruar se ata mund të ishin militantë. Megjithatë, kjo njoftim ka rezultuar i pasaktë, pasi ambulancat ishin qartë të shënuara dhe të dallueshme nga automjetet ushtarake.
Në një moment, IDF ka deklaruar se disa nga viktimat, përfshirë mjekë të njohur, ishin identifikuar nga shërbimi i inteligjencës izraelite si operativë të Hamasit. Megjithatë, këto pretendime janë vënë në dyshim, duke u krijuar një imazh të pasaktë për ngjarjen dhe duke shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare.
Ky incident ka ndodhur në një periudhë të tensioneve të larta mes Izraelit dhe Hamasit, pas rifillimit të sulmeve ajrore dhe operacioneve tokësore nga Izraeli kundër Hamasit në Gaza. Këto veprime pasojnë dështimin e marrëveshjes për armëpushim, që ishte ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti dhe Katari, duke e komplikuar edhe më tej situatën humanitare në rajon.