Këshilli i Sigurisë së Izraelit jep dritën jeshile për pushtimin e Qytetit të Gazës, mes kundërshtimeve të ushtrisë dhe afatit të rreptë të evakuimit deri më 7 tetor.
Pas një mbledhjeje maratonë prej 10 orësh, e cila përfundoi rreth orës 03:30 të mëngjesit, Këshilli i Sigurisë së Izraelit miratoi planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës. Vendimi vjen mes kundërshtimeve të ashpra nga IDF, e cila paralajmëroi se zhvendosja e mbi një milion banorëve mund të shkaktojë një krizë të rëndë humanitare.
Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk do ta aneksojë Rripin e Gazës, por synon ta çlirojë nga Hamasi dhe më pas t’ia dorëzojë administrimin forcave arabe. Megjithatë, ushtria shprehu rezerva të forta për realizimin e këtij plani. Shefi i Shtabit, Zamir, paralajmëroi se operacioni mund ta çojë vendin në “një vrimë të zezë” dhe se nuk ka zgjidhje humanitare për miliona të zhvendosur.
Sipas vendimit të kabinetit, operacioni do të përqendrohet vetëm në Qytetin e Gazës, me objektiv evakuimin e banorëve drejt kampeve qendrore të refugjatëve dhe zonave të tjera brenda datës 7 tetor 2025, në përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit. Pas evakuimit, IDF do të vendosë një rrethim të plotë mbi forcat e mbetura të Hamasit.
Kanali 12 raportoi se Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz kanë marrë autorizimin për të miratuar planin final operacional të ushtrisë. Një deklaratë nga zyra e kryeministrit konfirmoi se shumica absolute e ministrave mbështetën këtë strategji, duke e cilësuar si të vetmen rrugë për mposhtjen e Hamasit dhe kthimin e pengjeve.
Megjithatë, në të njëjtën mbledhje u theksua se IDF-ja e ka kundërshtuar planin, edhe pse do ta zbatojë. Tensionet mes Netanyahut dhe ushtrisë kanë qenë të dukshme, duke e bërë vendimin një nga më të debatueshmit e viteve të fundit.
OKB ka ngritur alarmin për një katastrofë humanitare nëse evakuimi kryhet me shpejtësi të tillë. Zyrtarët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që të garantohet siguria e civilëve dhe ofrimi i ndihmës humanitare jashtë zonave të luftës.
Nga ana tjetër, Hamasi ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se do të luftojë çdo forcë që synon të sundojë Gazën. Ata akuzuan Netanyahun se po rrezikon jetën e pengjeve për objektivat e tij politike dhe ushtarake.
Në terren, IDF ka nisur paralajmërimet për banorët e Gazës jugore që të largohen drejt veriut, ndërsa nuk është bërë ende publik një datë zyrtare për nisjen e pushtimit. Ndërkohë, mijëra qytetarë izraelitë kanë dalë në protesta kundër planit, duke kërkuar që prioritet të jetë kthimi i pengjeve dhe jo zgjerimi i luftës.
Sipas mediave izraelite, ky vendim përbën një hap vendimtar në strategjinë e qeverisë, por edhe një rrezik të madh politik dhe ushtarak për Netanyahun. Shumë analistë paralajmërojnë se përplasjet mes qeverisë dhe ushtrisë mund të thellohen në javët në vijim.
Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën, ndërsa frika për përshkallëzimin e konfliktit mbetet e lartë. Afati i 7 tetorit është bërë tashmë një pikë kyçe, nga e cila do të varet ecuria e operacionit dhe pasojat për rajonin.


