Në ditën e nëntë të përplasjes me Iranin, ushtria izraelite eliminon dy komandantë të Gardës Revolucionare në operacione të sinkronizuara
Luftimet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në ditën e nëntë pa shenja zbutjeje, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për ndërmjetësim kanë dështuar të prodhojnë rezultate konkrete. Në këtë fazë tensioni, palët shkëmbejnë sulme të drejtpërdrejta, me objektiva strategjikë që rrezikojnë të nxisin një përshkallëzim rajonal.
Izraeli raportoi goditjen e një objektivi kyç në qytetin iranian të Isfahanit, ku ndodhet një nga impiantet më të mëdha bërthamore të vendit. Megjithatë, sipas agjencisë shtetërore iraniane Fars, nuk ka pasur rrjedhje të materialeve radioaktive apo dëme të tjera të rënda.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi ekzekutimin e një komandanti të rëndësishëm të Forcave Quds, Saeed Izadi. Ai u vra gjatë një sulmi të përqendruar në një apartament në qytetin Qom. Izadi konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të Gardës Revolucionare në operacionet jashtë Iranit.
Pak orë më vonë, ushtria izraelite publikoi një tjetër njoftim, ku bëhej me dije se ishte asgjësuar edhe një tjetër komandant i Gardës Revolucionare. Ai u identifikua si Benam Shariyari, i cili u qëllua për vdekje gjatë një sulmi ajror në automjetin e tij, në perëndim të Teheranit.
Izraeli publikoi gjithashtu pamje nga bombardimi, të shpërndara në rrjetin social X (ish-Twitter), ku sipas IDF-së, shihet momenti kur shkatërrohet automjeti ku ndodhej Shariyari.
Këto zhvillime tregojnë për një intensifikim të operacioneve të synuara nga ana e Izraelit, duke goditur drejtpërdrejt struktura të nivelit të lartë të Gardës Revolucionare iraniane. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar mbetet i shqetësuar për rrezikun e një lufte të hapur që mund të përfshijë rajonin më gjerë.
Pavarësisht paralajmërimeve dhe thirrjeve për vetëpërmbajtje, asnjëra palë nuk ka dhënë shenja tërheqjeje, duke e bërë të paqartë se sa do të zgjasë përshkallëzimi aktual dhe cilat do të jenë pasojat afatgjata në Lindjen e Mesme.
🔴ELIMINATED: Behnam Shahriyari, commander of the Quds Force’s Weapons Transfer Unit in the IRGC, was eliminated in a precise IDF strike in western Iran.
— Israel Defense Forces (@IDF) June 21, 2025
Shahriyari was responsible for all weapons transfers from the Iranian regime to its proxies across the Middle East in order… pic.twitter.com/O9nEjuauuW