Ushtria izraelite ka kryer një sulm ajror në jug të Bejrutit, i pari që prej fillimit të qershorit, duke pasur në shënjestër zëvendësin më të lartë të Hezbollahut, sipas raportimeve të CNN.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) goditën “në zemër të Bejrutit, duke synuar shefin e shtabit të Hezbollahut, i cili drejtonte përpjekjet e grupit për armatosje dhe zgjerim ushtarak.”
Një burim izraelit i tha CNN se objektivi i sulmit ishte Haytham Ali Tabatabai, i njohur si numri dy në komandën e Hezbollahut, megjithatë ende nuk është konfirmuar nëse ai ka humbur jetën.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, nga sulmi ka humbur jetën një person, ndërsa 21 të tjerë janë plagosur. Goditja ndodhi në një zonë të populluar të Bejrutit jugor, mes pallateve të banuara.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë tym që dilte nga katet e sipërme të një ndërtese në një nga lagjet më të dendura të qytetit.
Kryeministri Netanyahu urdhëroi sulmin pas rekomandimit të Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të IDF-së, duke deklaruar se Izraeli “do të vazhdojë të veprojë me forcë për të parandaluar çdo kërcënim ndaj qytetarëve të veriut dhe shtetit të Izraelit.”
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se “çdokush që ngre dorën kundër Izraelit, do ta presë pasojën me forcë.”
Në shtator 2024, një tjetër sulm izraelit në Bejrut vrau udhëheqësin historik të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ndërsa sulme të tjera të mëvonshme kanë shkatërruar strukturat ushtarake të organizatës. Izraeli më parë ka shpërthyer pajisje komunikimi të përdorura nga Hezbollah, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Edhe pse një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA u arrit një vit më parë, forcat izraelite kanë vijuar të godasin infrastrukturën dhe luftëtarët e Hezbollahut në jug të Libanit dhe në luginën Bekaa.
Haytham Ali Tabatabai është shpallur terrorist nga SHBA që prej vitit 2016, për shkak të rolit të tij si komandant i forcave speciale të Hezbollahut në Siri dhe Jemen. Programi amerikan Rewards for Justice ofronte deri në 5 milionë dollarë shpërblim për informacione që çonin në gjetjen e tij.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Hezbollahu duhet të dorëzojë armët e rënda dhe të tërhiqet në veri të lumit Litani, por zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë i ngadaltë, gjë që ka bërë që Izraeli të paralajmërojë veprime të reja ushtarake nëse qeveria libaneze nuk merr masa për ta frenuar grupin.
Presidenti libanez Joseph Aoun e akuzoi së fundmi Izraelin se “po bën gjithçka për të penguar çdo zgjidhje të negociuar midis dy vendeve.”


