Italianët ngadalësojnë vizitat në Shqipëri pas një rënieje të ndjeshme në Qershor

Hyrjet e italianëve në Shqipëri ranë me 4% në qershor 2025, duke treguar ngadalësim të dukshëm pas viteve të bumit turistik. Shifrat e përgjithshme të turistëve italianë për 6-mujorin e parë rriten vetëm 5%, nga 57% një vit më parë.

Pas një periudhe të gjatë rritjeje të vizitorëve italianë në Shqipëri, muaji qershor i vitit 2025 shënoi një kthesë negative. Sipas statistikave, numri i italianëve që hynë në vend u ul me 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Konkretisht, në qershor hynë rreth 111 mijë italianë, ndërsa një vit më parë shifra ishte rreth 116 mijë.

Tur-operatorët vendas konfirmuan këtë trend duke theksuar se rezervimet individuale për pushimet verore, veçanërisht në zonat e Vlorës dhe Sarandës, janë ulur ndjeshëm. Italianët tradicionalisht preferojnë pushimet përgjatë bregdetit të Vlorës, Durrësit dhe Sarandës, por sivjet interesimi është më i ulët, gjë që po ndikon në uljen e hyrjeve.

Rënia e rezervimeve iu atribuua edhe një artikulli në Corriere Della Sera, i cili theksonte se për shkak të rritjes së çmimeve në Shqipëri, raporti cilësi/çmim po humbet. Në të njëjtën kohë, rajoni i Puglias në Itali ka filluar të tërheqë më shumë pushues italianë, pasi çmimet atje janë stabilizuar dhe janë bërë më konkurruese.

Megjithatë, në 6-mujorin Janar-Qershor të vitit 2025, Shqipërinë e vizituan gjithsej 510 mijë italianë, që përbën një rritje modeste prej 5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ky ngadalësim i ritmit të rritjes është shqetësues, pasi një vit më parë kjo rritje ishte 57 për qind, duke treguar një ngadalësim të qartë në interesin për Shqipërinë si destinacion.

Italianët vazhdojnë të jenë vizitorët e dytë më të mëdhenj pas shqiptarëve të Kosovës, duke përbërë 11 për qind të totalit të hyrjeve turistike në Shqipëri për gjysmën e parë të vitit. Ndërkohë, shqiptarët e Kosovës përbëjnë 34.5 për qind të vizitorëve. Kjo tendencë tregon nevojën për një strategji më të mirë menaxhimi dhe orientimi të turizmit shqiptar, në mënyrë që të shmanget humbja e këtij grupi të rëndësishëm vizitorësh.

Ndaj Postimin: