Federata Italiane e Futbollit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Luciano Spalletti, pas humbjes 3-0 kundër Norvegjisë, duke shënuar një ndryshim të madh në pankinën e kombëtares axurre përpara vazhdimit të kualifikueseve të Botërorit.
Italia ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin Luciano Spalletti, pas një rezultati zhgënjyes në ndeshjen hapëse të kualifikueseve për Kupën e Botës. Humbja me shifrat 3-0 ndaj Norvegjisë ka sjellë reagime të forta nga drejtuesit e Federatës, të cilët kanë marrë vendimin për të ndërprerë bashkëpunimin me teknikun e njohur.
Vendimi është bërë publik edhe nga vetë Spalletti, i cili në konferencën për shtyp para sfidës me Moldavinë konfirmoi largimin. Ai tregoi se gjatë një takimi të gjatë me presidentin e Federatës, iu komunikua shkarkimi nga detyra si trajner i përfaqësueses italiane.
“Gjatë mbrëmjes së kaluar bisedova gjatë me presidentin dhe ai më njoftoi se do të shkarkohem nga detyra e trajnerit. Ndihem i zhgënjyer pasi nuk e kisha menduar të largohem në këtë mënyrë,” u shpreh Spalletti para gazetarëve.
Spalletti ka udhëhequr kombëtaren italiane në 23 takime, duke dhënë kontributin e tij në këtë periudhë të vështirë për ekipin. Megjithatë, ndeshja e ardhshme kundër Moldavisë, e planifikuar për 9 qershor, do të jetë e fundit për të në këtë rol.
Pas këtij vendimi, fokusi tashmë është te emri i ri që do të marrë drejtimin e Italisë. Federata pritet të shpallë në ditët në vijim trajnerin e ri, i cili do të ketë detyrën të rikthejë suksesin dhe besimin te përfaqësuesja axurre.
Largimi i Spallettit shënon një epilog të papritur për aventurën e tij në krye të kombëtares, ndërkohë që tifozët dhe opinioni sportiv presin me kuriozitet ndryshimet që do të sjellë drejtimi i ri. Federata Italiane ka theksuar se synimi mbetet arritja e objektivave madhorë dhe ringritja e ekipit kombëtar.