Autoritetet portuale ngritën alarmin në orët e para të mëngjesit pas mbytjes së një anijeje mallrash me flamur të Vanuatu-s, e cila u përplas me shkëmbinjtë në veri të ishullit Andros. Sipas informacioneve paraprake, anija, e cila ishte nisur nga Shqipëria drejt Ukrainës dhe transportonte rreth 8 mijë ton sodë, pësoi dëme të rënda pas goditjes në zonën shkëmbore, duke çuar në fundosjen e saj.
Në bord ndodheshin nëntë anëtarë ekuipazhi, tetë shtetas turq dhe një azerbajxhanas. Të gjithë u shpëtuan me sukses falë një operacioni të koordinuar nga Roja Bregdetare.
Dy prej marinarëve u nxorën nga deti nga një anije patrulluese, ndërsa shtatë të tjerë u lokalizuan dhe u shpëtuan në një zonë të vështirë shkëmbore në Andros. Më pas, ata u transportuan në portin e ishullit, ku rezultojnë në gjendje të mirë shëndetësore.