Ish ushtaraku i kthyer në furnizues armësh në Tiranë

Një ish-ushtarak 46-vjeçar në Tiranë është arrestuar, pasi dyshohet se përdorte taksinë e tij për të shpërndarë armë dhe drogë për grupe kriminale.

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Altin Celamin, 46 vjeç, banues në kryeqytet. Ai u kap gjatë qarkullimit në Rrugën e Dibrës, duke drejtuar një taksi të verdhë. Hetimet treguan se ai e përdorte mjetin për të shmangur dyshimet dhe kontrollet e policisë, ndërsa dyshohet se furnizonte grupe të strukturuara kriminale me armë zjarri dhe drogë.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës së tij, efektivët sekuestruan katër armë të tipit pistoletë, sasi municionesh luftarake, lëndë narkotike të dyshuar kokainë, si edhe pjesë të ndryshme armësh. Sipas burimeve hetimore, pajisjet dhe armët ishin të gatshme për t’u shitur ose shpërndarë te persona të ndryshëm.

Celami nuk është i panjohur për organet e drejtësisë. Ai ishte i dënuar më herët për të njëjtën veprimtari kriminale, dhe kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu. Arrestimi i tij i parë është regjistruar në tetor të vitit 2022, për trafikim dhe shpërndarje të armëve të zjarrit.

Para përfshirjes në këtë aktivitet, 46-vjeçari ka shërbyer si ushtarak në repartin e Pezë Helmës në Tiranë. Pas arrestimit të parë, ai u përjashtua nga detyra dhe nuk është rikthyer në shërbim. Hetuesit dyshojnë se ai ka ruajtur lidhjet e vjetra me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

Policia vijon punën për identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe rrjetit të shpërndarjes së armëve, pasi dyshohet se Celami nuk vepronte i vetëm. Ndërkohë, pritet që për të të caktohet masa e sigurisë nga gjykata e Tiranës në ditët në vijim.

Ndaj Postimin: