Ish-punonjësi nga Vlora i lidhur me trafik ndërkombëtar droge dhe biznes në Britani

Klevis Hoxhosmani, partneri i vajzës së Majlinda Bregut, u arrestua si pjesë e një rrjeti që trafikonte tonelata kokaine drejt BE-së dhe Britanisë

Një nga emrat që doli në skenë pas një aksioni të fundit kundër trafikut ndërkombëtar të drogës ishte ai i Klevis Hoxhosmanit, një ish-punonjës i policie me origjinë nga Vlora dhe partner i Kejda Ajazit, vajzës së ish-deputetes Majlinda Bregu. Hoxhosmani është një nga 16 personat e dyshuar për përfshirje në një organizatë kriminale që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.

Prej vitesh ai kishte tërhequr vëmendje për jetën luksoze që ekspozonte në rrjetet sociale, shpesh në shoqërinë e Ajazit, në vende si Monaco dhe Londër. Pamjet e publikuara nga paparacët tregonin qartë një stil jete që nuk përputhej me të ardhurat e deklaruara.

Emri i tij është lidhur me disa biznese të regjistruara në Britani. Njëri prej tyre ishte një lavazh në Bournemouth me emrin “Crystal Hand Carwash”, që operoi nga viti 2013 deri në 2015. Gjithashtu, ai ka qenë drejtor i kompanisë “Barrack Road Tyres Limited” dhe më pas themelues i “Opa Coffee Limited”, një tjetër aktivitet tregtar që ndërroi selinë në mars 2025. Në Britani, Hoxhosmani nuk rezulton me precedentë të rënda penalë, përveç një dënimi në vitin 2014 për dhunë dhe dëmtim prone.

Roli i tij i saktë në rrjetin kriminal ende nuk është zbardhur plotësisht, por dyshimet e ngritura nga përgjimet e kryera në aplikacione të enkriptuara si Sky ECC flasin për lidhje me një grup të njohur që operonte nga Durrësi. Sipas të dhënave, rrjeti dyshohet se ka dërguar një ngarkesë prej 250 kilogramësh kokainë drejt Britanisë përmes rrugëve franceze.

Në operacionin që u zhvillua pas një urdhri të posaçëm të drejtësisë, u ndaluan disa persona të dyshuar për përfshirje në këtë skemë ndërkombëtare droge. Mes tyre ishin edhe vëllezërit Hoxhosmani, biznesmeni Ilir Lloshaj dhe Ermir Ndreaj, i njohur si ish-pronar i klubit “Cinco Cavalli”.

Gjykata e Posaçme pritet të shqyrtojë më tej masat e sigurisë për të ndaluarit dhe të përfshirët e tjerë. Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe Elidon Skëndaj, një biznesmen me disa identitete të dyshuara, që besohet se është larguar në drejtim të Dubait. Ai konsiderohet një prej hallkave të rëndësishme në trafikun shumë milionësh të kokainës.

Ndaj Postimin: