Ish-presidenti Joseph Kabila dënohet me vdekje në Kinshasa

Gjykata ushtarake në Republikën Demokratike të Kongos shpalli fajtor ish-presidentin Joseph Kabila për tradhti, krime lufte, krime kundër njerëzimit, vrasje dhe akte torture.

Një gjykatë ushtarake në Kinshasa ka dënuar me vdekje ish-presidentin Joseph Kabila, duke e shpallur fajtor për një sërë akuzash të rënda. Vendimi u dha në mungesë, pasi Kabila ndodhet prej dy vitesh jashtë vendit.

Gjeneral-lejtnant Joseph Mutombo Katalagi, kryetar i trupit gjykues, deklaroi se ish-presidenti akuzohet për tradhti të lartë, krime kundër njerëzimit, sulme seksuale, tortura dhe organizim rebelimi. Ky vendim ka shkaktuar jehonë në arenën politike dhe ndërkombëtare.

Kabila udhëhoqi Kongon për afro dy dekada, duke u larguar nga pushteti vetëm pas protestave të dhunshme në vitin 2019. Prej vitit 2023 ai jeton kryesisht në Afrikën e Jugut, megjithëse herë pas here është shfaqur në Namibi apo në qytetin e Gomës, zonë e kontrolluar nga rebelët M23.

Në maj të këtij viti, ai u rikthye në skenën publike me një fjalim në Goma, ku kërkoi fundin e “diktaturës” në vend dhe shfaqi ambicie për t’u rikthyer në politikë. Kjo lëvizje ndezi shqetësime në Kinshasa, duke çuar në heqjen e imunitetit dhe gjykimin e tij ushtarak.

Joseph Kabila është biri i rebelit Laurent-Désiré Kabila, i cili përmbysi regjimin e Mobutu Sese Seko në vitet ’90. Ai mori pushtetin në vitin 2001, pas vrasjes së të atit, në moshën vetëm 29-vjeçare, duke e gjetur vendin të shkatërruar nga lufta civile.

Gjatë presidencës së tij, vendi përjetoi zgjedhjet e para të lira pas pavarësisë, në vitin 2006. Megjithatë, mandati i dytë në vitin 2011 u shoqërua me akuza për manipulime dhe pakënaqësi masive, duke e futur vendin në krizë të zgjatur politike.

Planet e tij për të ndryshuar ligjin zgjedhor në vitin 2015, me qëllim sigurimin e një mandati të tretë, shkaktuan protesta të dhunshme ku humbën jetën dhjetëra qytetarë. Në fund, ai nuk kandidoi në zgjedhjet e vitit 2018 dhe ia dorëzoi pushtetin Felix Tshisekedit.

Pavarësisht imazhit të tij të ftohtë dhe të tërhequr, Kabila njihej për pasionin ndaj makinerive bujqësore dhe videolojërave, duke mos e fshehur kurrë distancën e tij nga protokollet zyrtare.

Vendimi i sotëm i gjykatës e vendos përfundimisht jashtë lojës politike, megjithëse mbetet për t’u parë nëse dënimi me vdekje do të zbatohet, duke pasur parasysh ndikimin ndërkombëtar dhe situatën e brishtë të sigurisë në vend.

Ndaj Postimin: