Ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut në pranga për shpërdorim fondesh dhe punësime familjare

Arrestohet Nikoll Deda, ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut, pas akuzave për vjedhje të fondeve, shpërdorim detyre dhe punësime të paligjshme familjarësh, ndërsa prokuroria thekson rrezikun e ikjes së tij.

Ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, është vënë në pranga pas një operacioni të zhvilluar në Tiranë, me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ai akuzohet për vepra të rënda penale si “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, të parashikuara nga nene të ndryshme të Kodit Penal.

Sipas informacioneve zyrtare, ndaj Dedës është ngritur padi nga shtetasi A.G., i cili e ka denoncuar pranë Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar për keqpërdorim të fondeve të institucionit. Hetimet kanë zbuluar se buxheti i ‘Urdhrit të Stomatologut’ është rritur nga viti në vit në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nga 38.500.000 lekë në vitin 2020, në 125.837.000 lekë në vitin 2022, ku përfshihet dhe blerja e një godine për institucionin.

Organi i akuzës thekson se rritja e buxhetit shoqërohej me veprime që dyshohet se kishin si qëllim përfitimin personal të ish-presidentit apo personave të tretë, ndërsa janë evidentuar edhe raste të punësimeve të njerëzve të afërt të tij, kryesisht familjarë, pa ndjekur procedurat ligjore.

Gjithashtu, Deda akuzohet se ka manipuluar vendimmarrjet në Këshillin Kombëtar të Urdhrit të Stomatologëve duke punësuar familjarë, veprim që ka nisur që prej vitit 2016, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e kontrollit personal mbi institucionin.

Hetimet tregojnë se, pavarësisht se ishte nën akuzë edhe për çështje të tjera penale, ai ka vijuar të ndërmarrë veprime të tjera në kundërshtim me ligjin, duke përqendruar më tej kompetencat dhe kontrollin mbi fondet e institucionit.

Prokuroria thekson se Nikoll Deda është përpjekur të shmangë hetimet dhe i është larguar disa herë organeve të drejtësisë, duke rritur kështu rrezikun e arratisjes dhe të fshehjes së provave të mundshme.

Bazuar në këto të dhëna dhe rreziqet e identifikuara, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Nikoll Dedën, si një domosdoshmëri për mbarëvajtjen e hetimeve dhe garantimin e drejtësisë.

Ndaj Postimin: