Ish-fusha e mbetjeve në Lushnje po merr një pamje të re. Prej disa ditësh, Bashkia Lushnje, nëpërmjet punonjësve të Drejtorisë së Pasurisë Publike, ka nisur rehabilitimin dhe mbjelljen e pemëve në një sipërfaqe prej 5 hektarësh, e cila dikur shërbente si pikë grumbullimi mbetjesh.
Zona po transformohet në një hapësirë të gjelbëruar. Deri më tani janë mbjellë rreth 1 mijë rrënjë pishash, ndërsa projekti parashikon që e gjithë sipërfaqja të mbillet me rreth 3 mijë rrënjë pisha dhe fidane drurësh dekorativë. Ky investim synon t’i ndryshojë tërësisht pamjen zonës, duke e kthyer atë në një pikë të re çlodhëse për qytetarët.
Ndërmarrja e Pasurisë Publike do të vendosë gjithashtu stola dhe hapësira pushimi për qytetarët, veçanërisht për të apasionuarit pas ambienteve të gjelbra.
Punimet po zhvillohen nën drejtimin e drejtorit të Pasurisë Publike, Elson Zeka. Në një komunikim jashtë kamere, ai u shpreh se zona do t’i rikthehet qytetit si një hapësirë e gjelbëruar dhe funksionale për komunitetin.
Sipas tij, puna nuk do të ndalet këtu, pasi Bashkia synon që jo vetëm në qytet, por edhe në njësitë administrative dhe fshatra, të krijohen mini-parqe dhe hapësira të gjelbra në shërbim të qytetarëve, veçanërisht për moshat e treta.