Kjo e shtunë sjell në ekranin e TV Apollon një intervistë të veçantë me poeten myzeqare Irida Mehilli, e ftuar në emisionin “Personazhe në Fokus”, ku prezanton librin e saj të dytë me poezi, “Parada e Ëndrrave”.
Poezitë e këtij vëllimi burojnë nga përjetimet e brendshme të autores, e cila, ndonëse e privuar nga shikimi fizik, ka ndërtuar një univers të pasur shpirtëror, të shndërruar në forcë krijuese dhe frymëzim artistik. Përmes vargjeve, Irida Mehilli i dhuron lexuesit emocione dhe ndjenja të thella, duke sjellë një botë të përjetuar me “sytë e shpirtit”.
Në intervistën me gazetarin Ndriçim Gjoshi, autorja flet për jetën, artin dhe dashurinë për gjithçka që e rrethon, duke ndarë reflektime personale dhe përvoja që kanë ndikuar në krijimtarinë e saj poetike. Ajo thekson se, edhe pse e sheh botën bardhë e zi, poezia i ka dhënë mundësinë të shprehë një univers plot ngjyra shpirtërore.
Përmes poezive të saj, Irida Mehilli u jep zë atyre që jeta mund t’u ketë mohuar diçka, por jo ëndrrat, duke përcjellë mesazhe shprese dhe force njerëzore.
Emisioni “Personazhe në Fokus” me Irida Mehilli transmetohet këtë të shtunë, në orën 21:00, në TV Apollon.


