Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se do të emërojnë së shpejti një udhëheqës të ri suprem, pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit në sulmet e koordinuara mes Izraelit dhe SHBA-së.
Aktualisht, vendi po drejtohet nga një këshill udhëheqës kalimtar, i përbërë nga Presidenti Masoud Pezeshkian, kreu i gjyqësorit Gholamhossein Mohseni Ejei dhe kleriku i lartë Alireza Arafi.
Zgjedhja zyrtare e udhëheqësit të ri i takon Asamblesë së Ekspertëve, një organ prej 88 klerikësh të lartë. Sipas kushtetutës, asambleja duhet të zgjedhë pasardhësin sa më shpejt të jetë e mundur, megjithatë procesi mund të ndërlikohet për shkak të situatës së sigurisë në vend.
Kandidatët për këtë post duhet të plotësojnë kriteret kushtetuese dhe të jenë juristë të lartë me njohuri të thella të jurisprudencës shiite, si dhe të kenë gjykim politik, guxim dhe aftësi administrative.
Kandidatët për Asamblenë e Ekspertëve verifikohen nga Këshilli i Rojës, një organ mbikëqyrës me ndikim të madh, anëtarët e të cilit emërohen pjesërisht nga vetë udhëheqësi suprem.