Izraeli po rrit ndjeshëm praninë e tij ekonomike në Shqipëri, përmes bankave dixhitale, pasurive të paluajtshme, industrisë së sigurisë dhe projekteve tregtare të përbashkëta me grupet vendase.
Në dekadën e fundit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë forcuar ndjeshëm, jo vetëm në nivel diplomatik, por edhe në planin ekonomik. Vizita të nivelit të lartë dhe marrëveshje bashkëpunimi kanë hapur rrugën për projekte të përbashkëta dhe rritjen e interesit të sektorit privat izraelit për investime në vend.
Një nga fushat më të prekshme është sektori bankar. Ish-drejtori i One Zero Digital Bank, Gal Bar Dea, ka aplikuar zyrtarisht në Bankën e Shqipërisë për hapjen e një banke dixhitale. Modeli i synuar është i ngjashëm me atë të One Zero, e cila në Izrael u shqua për qasjen moderne në financë, por tani kërkon të zgjerohet përtej kufijve të saj tradicionalë.
Një tjetër emër i madh izraelit, grupi BIG Shopping Centers, ka hyrë në partneritet me BALFIN për zhvillimin e Retail Park Shkodra. Ky është investimi i parë konkret i kompanisë izraelite në Shqipëri, pjesë e një strategjie më të gjerë për zgjerim në Europën Lindore, ku grupi zotëron dhjetëra projekte tregtare dhe industriale.
Edhe industria e sigurisë dhe mbrojtjes ka tërhequr interesin e investitorëve izraelitë. Biznesmeni Ron Yeffet bleu 49% të aksioneve në kompanitë Timak, të njohura për prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve speciale. Ky investim shihet si hap drejt krijimit të sinergjive të reja mes industrisë shqiptare dhe asaj izraelite.
Interesi izraelit po shtrihet gjithashtu te pasuritë e paluajtshme. Sipas Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri, disa subjekte nga Izraeli po eksplorojnë tregun vendas, me synim zhvillimin e projekteve për qiradhënie dhe akomodim ekonomik, sidomos për studentë dhe nomadë dixhitalë. Ka sinjalizime edhe për blerje pronash rezidenciale në bregdet.
Ekspertët vlerësojnë se ky orientim drejt Shqipërisë lidhet me nevojën e investitorëve izraelitë për diversifikim dhe gjetjen e tregjeve të reja të sigurta në Ballkan. Për vendin tonë, kjo përfaqëson një mundësi për rritjen e standardeve teknologjike, të turizmit dhe të industrive të reja, duke rritur gjithashtu ndikimin ndërkombëtar përmes partneriteteve strategjike.
Megjithëse shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë e vendosin nivelin e investimeve direkte izraelite në vetëm 6 milionë euro, ekspertët theksojnë se vlera reale mund të jetë më e lartë, për shkak të regjistrimit të investimeve në shtete të treta. Tendenca mbetet e qartë: prania izraelite në ekonominë shqiptare është në rritje dhe mund të bëhet një faktor i rëndësishëm në vitet e ardhshme.