Investime të reja në energji për zhvillimin e turizmit në Pogradec

OSSH planifikon mbi 4.6 milionë euro investime në rrjetin elektrik të Pogradecit, si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës energjetike të shkaktuar nga zhvillimi i turizmit.

Turizmi po shndërrohet në një faktor përcaktues për investimet publike në Shqipëri. Me rritjen e numrit të vizitorëve dhe zgjerimin e infrastrukturës turistike, Pogradeci është kthyer në një prej rajoneve që kërkon përmirësime urgjente në rrjetin energjetik. Për këtë arsye, Drejtoria Rajonale e OSSH në Korçë ka shpallur një tender me tre lote, me një fond limit prej mbi 460 milionë lekësh, që përkthehet në rreth 4.6 milionë euro.

Ky projekt synon të modernizojë dhe zgjerojë rrjetin elektrik, duke e përshtatur atë si për nevojat e konsumatorëve vendas, ashtu edhe për zgjerimin që po sjell turizmi. Sipas dokumenteve teknike, ndërhyrja do të përfshijë zhvillimin e rrjetit TM 20 kV, kabinave elektrike dhe rrjetit TU me përcjellësa vetëmbajtës të tipit ABC, si dhe ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse për fiderat 2, 3, 4 dhe 8 të nënstacionit të Pogradecit.

Në relacionin shpjegues të projektit, OSSH thekson se “Pogradeci dhe zonat përreth po njohin një zhvillim të gjithanshëm si destinacion turistik, çka ka sjellë rritje të konsiderueshme të kërkesës për energji elektrike”. Për këtë arsye, kompania synon të garantojë një furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me energji për konsumatorët ekzistues dhe ata të rinj që pritet të shtohen në vitet e ardhshme.

Sipas strategjisë së përgjithshme të zhvillimit të rrjeteve elektrike, OSSH po punon për të normalizuar ngarkesat në linjat TM, në kabinat e transformatorëve dhe në rrjetet TU. Këto masa janë pjesë e një plani afatgjatë që synon përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me rritje të lartë urbane dhe turistike, siç është Pogradeci.

Një element i rëndësishëm i projektit është ndërtimi i nënstacionit të ri 20/10kV në Pogradec, i cili ndodhet aktualisht në fazën e implementimit. Nga ky nënstacion janë zhvilluar 10 fidera 20/0.4kV, prej të cilëve gjashtë janë ndërtuar tashmë në fazën e parë të punimeve, ndërsa fiderat 2, 3, 4 dhe 8 pritet të realizohen në fazën e dytë.

Ky investim konsiderohet thelbësor për të garantuar një rrjet të fuqishëm dhe efikas, që jo vetëm plotëson nevojat aktuale të qytetarëve, por i paraprin edhe zhvillimeve të pritshme të zonës në sektorin turistik.

Në nivel kombëtar, OSHEE Group po ndjek një strategji të gjerë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, me fokus të veçantë në zonat turistike. Këto ndërhyrje përputhen me prioritetet e qeverisë për ta bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët e huaj, duke garantuar standarde moderne të furnizimit me energji.

Ndaj Postimin: