Interi vazhdon rrugën evropiane pa gabime

Interi siguron fitoren e katërt radhazi në Champions, por ndeshja ndaj Kairatit tregoi mungesë qartësie dhe menaxhim të vështirë gjatë lojës.

Interi vazhdoi ecjen e saj perfekte në Ligën e Kampionëve, duke marrë triumfin e katërt në po aq ndeshje dhe duke shkuar në kuotën e 12 pikëve. Skuadra e drejtuar nga Chivu priste një sfidë më të thjeshtë në “San Siro” ndaj Kairat Almaty, por takimi u komplikuua shumë më tepër nga sa pritej, duke bërë që tifozët zikaltër të kalonin momente tensioni.

Që në minutat e para Inter krijoi raste të qarta shënimi dhe pati pretendime për penallti pas një kontakti ndaj Bisseck në zonë, por arbitri nuk ndryshoi vendim. Kairat nuk u tërhoq, duke kundërsulmuar me shpejtësi dhe duke treguar se ishte në Milano për të luftuar.

Në minutën e 42-të, skuadra kazake iu afrua shumë golit, me topin që goditi traversën dhe ngriti panik në mbrojtjen zikaltër. Aty dukej qartë që Inter po e trajtonte takimin me më shumë qetësi sesa duhej, gjë që rrezikoi ta ndëshkonte.

Megjithatë, në sekondat e fundit të pjesës së parë, Lautaro Martinez mori përsipër peshën e ndeshjes. Kapiteni i zikaltërve shënoi duke ndezur atmosferën në stadium dhe duke dhënë përshtypjen se Inter tashmë do ta kontrollonte lojën më lehtë.

Por në pjesën e dytë, Kairat u kthye në lojë. Në minutën e 55-të, Arad u gjend i vetëm në zonë dhe barazoi me një goditje të saktë me kokë, duke e vendosur Inter-in në një situatë të vështirë psikologjike.

Goli i fitores erdhi në minutën e 67-të nga Carlos Augusto. Mesfushori lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca që përfundoi drejt e në rrjetë, duke i dhënë shpirt ekipit dhe duke sjellë lehtësim në pankinën zikaltër.

Pas avantazhit, Inter menaxhoi ritmin e ndeshjes, pa rrezikuar shumë dhe duke siguruar një fitore të rëndësishme për renditjen në grup. Pavarësisht lojës jo bindëse, rezultati mbetet elementi më i rëndësishëm në këtë fazë të turneut.

Trajneri Chivu, pas përfundimit të sfidës, pranoi se ekipi nuk shfaqi nivelin më të mirë të mundshëm. Ai theksoi se ndeshjet në Champions nuk duhet asnjëherë të merren të mirëqena dhe se përqendrimi duhet të jetë maksimal në çdo moment.

“Marr përgjegjësinë për mënyrën se si u paraqit ekipi. Mund të kishim luajtur më mirë, por tri pikët ishin thelbësore. Ndeshjet në këtë kompeticion nuk janë kurrë të lehta,” deklaroi Chivu, duke theksuar se zëvendësimi i Lautaro Martinez ishte i planifikuar që më parë.

Kapiteni, pasi shënoi dhe udhëhoqi skuadrën në pjesën e parë, u la të pushojë në të dytën për të shmangur mbingarkesën, pasi Inter luan çdo tre ditë dhe duhet të ruajë energjitë për sfidat e ardhshme.

Në fund, Interi del nga kjo sfidë me tre pikë të vlefshme, por edhe me një sinjal paralajmërues: lehtësia dhe vetëbesimi i tepërt mund të kthehen në rrezik real, veçanërisht në Europë, ku çdo kundërshtar mund të bëhet problem nëse nënvlerësohet.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033