Interi ka zyrtarizuar afrimin e Nicola Zalewskit nga Roma, duke e marrë në huazim deri në fund të sezonit.
Klubi zikaltër konfirmoi marrëveshjen me verdhekuqtë për mesfushorin anësor 23-vjeçar, duke e bërë lajmin publik përmes rrjeteve sociale.
Zalewski, i cili është një produkt i akademisë së Romës, nuk ka arritur të sigurojë një vend të rëndësishëm në formacion këtë sezon, teksa ka zhvilluar 12 ndeshje pa mundur të lërë gjurmë të thella në ekipin e kryeqytetasve. Për këtë arsye, huazimi te Interi shihet si një mundësi për t’i dhënë më shumë hapësira dhe për të rifituar formën e tij më të mirë.
Megjithëse është bërë pjesë e skuadrës së Simone Inzaghit, Zalewski nuk do të ketë mundësinë të debutojë menjëherë. Ai nuk do të jetë i gatshëm për derbin e së dielës ndaj Milanit, por pritet ta ndjekë takimin nga tribunat, duke u njohur më nga afër me ekipin e tij të ri.
Debutimi i tij në fushë mund të vijë në javën e ardhshme, në varësi të vendimeve të stafit teknik. Me shpejtësinë dhe aftësitë e tij në krah, Zalewski mund të shndërrohet në një alternativë të vlefshme për Interin në fazën e dytë të sezonit.
Ky transferim është pjesë e strategjisë së zikaltërve për të përforcuar krahët, duke rritur alternativat për trajnerin Inzaghi në garën për titullin kampion dhe për kompeticionet evropiane.
Pritet që gjatë javëve të ardhshme lojtari polak të ketë më shumë minuta në dispozicion dhe të tregojë vlerat e tij në një ekip që synon trofe këtë sezon.