Interesat e biznesit të familjes Trump në Tel Aviv përballen me sfida pas sulmeve dhe ndërhyrjeve politike

Ndërsa një hotel luksoz në Sarona ngjall interesin e Eric Trump, trazirat dhe rregulloret kufizuese e vënë projektin në pikëpyetje

Në lagjen moderne të Saronës, në Tel Aviv, një raketë iraniane goditi pranë një ndërtese të lartë që aktualisht po ndërtohet dhe që ka tërhequr vëmendjen e Organizatës Trump. Hoteli i planifikuar, që mund të bëhet më i larti në qytet, është ende në negociata për të marrë emrin e familjes së presidentit amerikan.

Këto diskutime nisën këtë pranverë, kur Eric Trump, djali i presidentit, shqyrtoi mundësinë e një bashkëpunimi me pronarët e ndërtesës, Nitsba Group. Megjithatë, bisedimet ishin ende në “ajër” kur ndodhi sulmi i 13 qershorit, që la pas tym dhe mbetje në qendrën komerciale të Tel Avivit.

Eric Trump deklaroi se “nuk ka plane konkrete për momentin”, por në një takim virtual në prill me drejtues të pasurive të paluajtshme në Izrael, ai sugjeroi që godina e re mund të kishte karakteristikat tipike të një hoteli me markën Trump, duke përfshirë hapësira VIP dhe një suitë presidenciale.

Përtej entuziazmit, projekti përballet me sfida serioze. Ndërtesa ndodhet pranë pistës së Aeroportit Ben Gurion, ku lartësia e ndërtesave është e rregulluar rreptësisht. Zgjerimi i hotelit përtej 47 kateve do të kërkonte përjashtime ligjore dhe miratime nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Izraelit.

Për më tepër, konflikti në rajon përbën një tjetër pengesë. Pjesëmarrja e presidentit Trump në ofensivën kundër Iranit dhe sulmi i mëvonshëm ndaj një baze amerikane në Katar, ku Trump ka interesa, ngrenë shqetësime të reja për sigurinë e çdo ndërtese me emrin e tij në zonë.

Megjithatë, kompania ka vazhduar të zgjerojë praninë e saj në Lindjen e Mesme. Vetëm muajt e fundit, janë nënshkruar marrëveshje për projekte luksoze në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Katar. Sipas burimeve të brendshme, janë në proces edhe rreth 30 marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që familja Trump përpiqet të hyjë në tregun izraelit. Pas zgjedhjeve të vitit 2016, kompania e tij u tërhoq nga një projekt në Tel Aviv për arsye etike. Në vitin 2023, një tjetër marrëveshje për një hotel në Jerusalem dështoi pas sulmit të Hamasit. Sarona duket të jetë tentativa më e re, por jo pa rreziqe të mëdha politike, financiare dhe ligjore.

Ndaj Postimin: