Inspektorët e AKU nuk zbatuan urdhrin për bllokim, 104 ton misër i kontaminuar përfundoi në pulari

Një sasi prej 104 tonësh misër të dyshuar të kontaminuar është futur dhe përdorur në një pulari në Malësi të Madhe, pasi inspektorët e AKU-së nuk kanë zbatuar urdhrin për kontroll dhe bllokim në doganë.

Sipas verifikimeve, ngarkesat e importuara gjatë muajve nëntor–dhjetor 2025 nuk janë analizuar, pavarësisht udhëzimit për kontroll të çdo sasie misri që hynte në vend.

Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e sasisë të përdoret si ushqim për shpendët, ndërsa vetëm rreth 9.5 ton ndodhen ende në magazinë.

Kryeinspektori Dashnor Sula konfirmoi se procedurat nuk janë ndjekur në pikën doganore të Hanit të Hotit, ku ngarkesa duhej të ishte ndaluar dhe analizuar.

“Ngarkesa duhej të ishte bllokuar në doganë. Mostrat nuk janë marrë dhe nuk janë kryer analizat përkatëse,” u shpreh ai.

Për këtë arsye, është ngritur një grup disiplinor ndaj 10 inspektorëve të AKU-së, të cilët dyshohet se kanë shmangur zbatimin e urdhrit dhe kontrolleve të detyrueshme.

Ndërkohë, ndaj subjektit janë vendosur 5 gjoba administrative, ndërsa çështja është referuar në Prokurori për ndjekje penale.

Autoritetet theksojnë se rasti lidhet me shkelje serioze të sigurisë ushqimore, ndërsa hetimet vijojnë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033