Inflacioni bazë në rritje për dhjetorin 2024: Arrihet niveli më i lartë i shtatë muajve të fundit

Inflacioni bazë përfundoi vitin 2024 me një rritje, duke arritur në 2.5% për muajin dhjetor, nga 2.34% që ishte për muajin nëntor.

Ky nivel është më i larti që nga marsi i vitit 2024, një shenjë e një tendence të rritjes së çmimeve brenda ekonomisë. Megjithatë, krahasuar me vitin 2023, inflacioni bazë ka shënuar një rënie në bazë vjetore, pasi në fund të vitit të kaluar ky tregues ishte 3.2%.

Inflacioni bazë për llogaritjen e të cilit Banka e Shqipërisë përdor një grup mallrash dhe shërbimesh që përbëjnë 69% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, përjashton produktet që kanë luhatshmëri të lartë, si ushqimet dhe energjia. Ky tregues fokusohet në presionet inflacioniste të brendshme, duke përfshirë edhe ndikimin e rritjes së kostos së punës në bizneset vendase.

Përkundër rritjes së inflacionit bazë, inflacioni bazë neto për muajin dhjetor ka pësuar një rënie të lehtë, duke arritur në 2.21%, nga 2.22% që ishte për nëntorin. Po ashtu, ky tregues është në rënie krahasuar me nivelin 3.38% të dhjetorit të vitit të kaluar. Inflacioni bazë neto përjashton nëngrupet e ushqimeve të përpunuara, përfshirë bukën dhe drithërat, dhe matet për një pjesë të shportës që përbën 44.6% të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Në nivel të përgjithshëm, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin dhjetor mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 2.2%. Ky rezultat tregon se presionet inflacioniste janë kryesisht të lidhura me produktet ushqimore dhe energjetike, të cilat kanë patur luhatshmëri të madhe gjatë vitit 2024.

Nga ana tjetër, INSTAT raporton se inflacioni mesatar në ekonomi për vitin 2024 ishte 2.1%, duke shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me nivelin 4% që kishte arritur në fund të vitit 2023. Rënia e inflacionit ishte më e theksuar se pritshmëritë, duke ndikuar në një rishikim të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, e cila uli dy herë normën bazë të interesit gjatë vitit, duke e çuar atë në 2.75%.

Pas mbledhjes së dhjetorit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka shprehur besimin se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2025. Banka ka analizuar rënien e inflacionit dhe e ka lidhur atë me çmimet e ulëta të produkteve bazë në tregjet botërore, forcimin e kursit të këmbimit dhe faktorët e brendshëm të kërkesës dhe rritjes së pagave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli më i qëndrueshëm i inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë ka reflektuar një kërkesë të lartë për mallra dhe shërbime, si dhe një rritje të shpejtë të pagave dhe kostove të prodhimit, që kanë ndikuar në presionet inflacioniste të brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera