Treguesit ekonomikë për prill–qershor 2025 tregojnë se industria ka pësuar rënie të theksuar, ndërsa ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme vijojnë rritjen.
Të dhënat e fundit zyrtare për tremujorin e dytë të vitit nxjerrin në pah kontraste të forta midis sektorëve kryesorë të ekonomisë. Industria, e cila përfshin aktivitetet nxjerrëse dhe përpunuese, ka vijuar rënien për të dhjetin tremujor radhazi, duke sinjalizuar një krizë të zgjatur në prodhim dhe eksport.
Sipas të dhënave, shitjet neto të industrisë në volum ranë me 6,2%, ndërsa prodhimi u tkurr me 0,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Numri i të punësuarve zbriti me 3,2%, ndonëse fondi i pagave u rrit me 4,5%. Këto tregues reflektojnë presionet e kombinimit mes kërkesës së ulët në tregjet ndërkombëtare, kursit të pafavorshëm të këmbimit dhe rritjes së kostove të brendshme.
Në të kundërt, ndërtimi ka treguar rritje, edhe pse me një ritëm më të ngadaltë. Shitjet neto u rritën me 5,2%, prodhimi me 4,8% dhe punësimi me 3,6%. Fondi i pagave në këtë sektor u rrit me një normë të fortë prej 16,1%, duke reflektuar kërkesën e lartë për banesa në zonat urbane, projektet e shumta të infrastrukturës publike dhe interesin e shtuar të investitorëve të huaj.
Sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit ka shënuar gjithashtu dobësim, me rënie të lehtë të shitjeve (–0,1%) dhe tkurrje të prodhimit (–5,2%). Punësimi ra me 2,6%, ndërkohë që fondi i pagave u rrit me 6,3%, duke treguar rritje të kostove të punës. Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve.
Në menaxhimin e mbetjeve, shitjet neto ranë me 4,7%, ndërsa prodhimi u tkurr me 0,6%. Pavarësisht kësaj, numri i të punësuarve u rrit me 0,5% dhe fondi i pagave shënoi rritje 7,7%, duke treguar një presion të fortë mbi kostot operative.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se industria shqiptare mbetet shumë e varur nga tregjet e huaja dhe e ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve të prodhimit. Në të njëjtën kohë, ndërtimi po mban ritmin e rritjes ekonomike përmes investimeve të mëdha dhe kërkesës së qëndrueshme për banesa, duke u kthyer në një nga sektorët që po i japin energji zhvillimit.


