Industria ra në 2024 dhe u përkeqësua në 2025, me rënie të prodhimit, ulje të eksporteve dhe peshë më të vogël në PBB.
Sektori industrial hyri zyrtarisht në recesion në 2024, me rënie katër tremujorë radhazi. Totali i industrisë ra me 4.55%, rënia e parë pas pandemisë (-7.32%), ndërsa përpunimi u tkurr me 3.65%, më keq se gjatë pandemisë (-3.58%). Kostot e larta të operimit dhe pagave, dobësimi i euros për eksportuesit, si dhe mungesa e fuqisë punëtore, e kanë mbyllur sektorin në një rreth vicioz, ku çmimet nuk mund të rriten pa humbur konkurrueshmëri.
Pesha e industrisë në PBB zbriti në 7.6% në 2024 nga 8.47% një vit më parë, niveli më i ulët në 15 vite (që prej 2009-s me 6.72%). Pas një periudhe rritjeje të mbështetur nga nxjerrja dhe, në masë më të vogël, nga përpunimi, aktiviteti industrial po zgjerohet shumë më ngadalë se ndërtimi dhe energjia.
Tek lojtarët kryesorë, “Kurum” mbeti më i madhi i industrisë me 25.1 mld lekë të ardhura (-33.2%), i prekur nga çmimet dhe koniunktura e pafavorshme. “Bankers Petroleum” raportoi 21.7 mld lekë (-1%). “Albchrome” ra me 20% në 6.5 mld lekë, pas një viti me përgjysmim të të ardhurave; në raport theksohet: “çmimet e FeCr u ulën rreth 35% krahasuar me 2023”. Prodhimi arriti 13,199 tonë në Elbasan dhe 11,191 tonë në Burrel; kromi 89,837 tonë në 2024; punonjësit zbritën në 958 (593 në Bulqizë). Pas kalimeve të shumta pronësie, kompania është nën “Yılmaden Holding” (2022) dhe planifikon investime totale 41.4 milionë dollarë deri në fund të 2025, për të zgjatur jetën e minierës dhe shfrytëzuar rreth 1.9 milionë tonë rezerva.
Në prodhim ushqimor e konsum, “Coca Cola Bottling Shqipëria” rriti të ardhurat me 1.8% në 5.9 mld lekë; portofoli ndahet: Coca-Cola 54%, Fanta 35%, Sprite 2%, Schweppes 3.4%, produkte të tjera rreth 5%, me 88% të ardhurave nga tregu vendas. U instaluan dy linja të reja mbushjeje, teksa Presidenti Luca Busi theksoi rritje volumi falë turizmit dhe zgjerimit të shpërndarjes. Grupi “EHW” arriti 7.9 mld lekë (+5.8%) dhe investoi në teknologji e fotovoltaikë; “Kombinati i Mishit” shënoi 3.63 mld lekë (-0.8%).
Mineral-metalurgjia dhe materialet: “Lajthiza Invest” u rrit në 4.4 mld lekë (+22%) me zgjerim eksportesh (deri në MB, SHBA, Zvicër, Tajvan). “GSA Ferrokrom” u shqua si hyrje e re me 4.3 mld lekë, ndërsa “Beralb” u rrit 76% në 3.5 mld lekë, e ndihmuar nga çmimet e bakrit mbi 9,800 USD/ton dhe zgjerimi i licencave. “Maccaferri Balkans” raportoi rreth 3 mld lekë; “CWI-Albania” arriti 2.9 mld lekë (+21.6%). “Tete Albania Tunel & Mining” u kthye në listë me rreth 2.7 mld lekë (+50%), duke intensifikuar projektin e Spaçit dhe nisur, për herë të parë në Shqipëri, prodhimin e koncentratit të zinkut.
Përpunimi i peshkut mbetet nën potencial për shkak të kuotës së BE-së prej rreth 1,600 tonësh; pas tejkalimit, zbatohen 25% taksa, duke rritur kostot. Në 2024, eksportet e grupit “Peshku dhe kafshët guaskore” ranë me 9.2% në sasi dhe 10.8% në vlerë, të goditura edhe nga euro e dobët. “Coral” zbriti në 2.8 mld lekë (-8.8%), ndërsa “Rozafa” raportoi gati 1.7 mld lekë (-1%). Operatorët theksojnë mungesën e fuqisë punëtore dhe kostot në rritje si pengesat kryesore.
Veshjet e këmbëve janë në vitin e tretë të rënies: eksportet ranë 8.2% në sasi dhe 19.4% në vlerë, për shkak të euros së ulët, rritjes së pagës minimale dhe zhvendosjes së porositësve drejt vendeve me kosto më të ulët. “Albaco Shoes” ra në 1.6 mld lekë (-27%); “Fital” në 826 mln lekë (-40%) me 647 punonjës në 2024. Sidoqoftë, tranzicioni drejt segmenteve me vlerë më të lartë po avancon: Pro-Dyn (grupi “Efa”) rriti të ardhurat e nënkontraktimit në 1.9 mld lekë (+2%) dhe 643 mln lekë (+21%) në prodhim.
Mullinjtë e miellit qëndrojnë në stanjacion: “Miell Tirana” 2.1 mld lekë (+2%), “Atlas Mills” 1.7 mld lekë (+7.7%), ndërsa “Bloja” rreth 1.2 mld lekë (-3.6%). Industria e qumështit rritet, por me lëndë të parë gjithnjë e më shumë nga importi: në 2024 u importuan 22.8 milionë litra (+23%), ndërsa sasia e grumbulluar vendase ra me 6.6%, niveli më i ulët që prej 2014-s. Ndryshimet në skemën e TVSH-së kanë rritur kostot te përpunuesit, ndërsa çmimet e bulmetit rezultojnë 31.5% mbi mesataren e BE-së (Eurostat). “Erzeni” arriti gati 2.5 mld lekë (+13.5%), “ADG/ish-Lufra” 2 mld lekë (+12%) me 261 punonjës; (Burimi: INSTAT, Doganat)