Indonezia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Indonezia ka njoftuar ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale dhe platformave të tjera online për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke u bërë një nga vendet që vendos kufizime të reja për mbrojtjen e të miturve nga rreziqet në internet.

Ministrja e Komunikimit dhe Çështjeve Dixhitale, Meutya Hafid, bëri të ditur se nga 28 marsi do të çaktivizohen llogaritë e personave nën 16 vjeç në platformat që konsiderohen me “rrezik të lartë”.

Sipas saj, masa do të zbatohet fillimisht për platforma si YouTube, TikTok, Facebook, Instagram, Threads, X, Bigo Live dhe Roblox. Ajo theksoi se kjo e bën Indonezinë “vendin e parë jo-perëndimor që vonon aksesin e fëmijëve në hapësirat dixhitale sipas moshës”.

Deri tani nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga kompanitë e prekura.

Ministrja Hafid deklaroi se fëmijët po përballen me kërcënime gjithnjë e më të mëdha në internet, duke përfshirë ekspozimin ndaj përmbajtjeve pornografike, ngacmimet kibernetike, mashtrimet online dhe varësinë nga platformat dixhitale. Ajo shtoi se ndërhyrja synon të mbështesë prindërit përballë ndikimit të algoritmeve të platformave.

Sipas një raporti të UNICEF-it të vitit 2023, rreth gjysma e 510 fëmijëve indonezianë të anketuar kanë deklaruar se janë ekspozuar ndaj imazheve seksuale në rrjetet sociale.

Ndërkohë, agjencia indoneziane për mbrojtjen e fëmijëve ka bërë të ditur se do të shqyrtojë më parë detajet e planit përpara se të japë një qëndrim zyrtar.

Njoftimi i Indonezisë vjen pasi Australia u bë vendi i parë që në dhjetor nisi të detyrojë kompanitë e rrjeteve sociale të bllokojnë përdoruesit nën 16 vjeç nga hapja e llogarive. Kjo politikë po ndiqet me vëmendje edhe nga qeveri të tjera.

Spanja ka shprehur gatishmërinë për të ndjekur të njëjtin model, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është hapur një konsultim publik për një ndalim të ngjashëm, ku janë ftuar të rinjtë, prindërit dhe kujdestarët të japin mendimet e tyre.

Indonezia ka ndërmarrë edhe më herët masa për të kufizuar aksesin në përmbajtje me natyrë seksuale, duke bllokuar platforma dhe faqe të ndryshme, përfshirë OnlyFans, Pornhub, si dhe chatbot-in e inteligjencës artificiale Grok.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033