Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave për punonjësit e administratës publike dhe pushtetit vendor në masën 2.5 për qind, në përputhje me nivelin e inflacionit dhe me qëllim kompensimin e rritjes së kostos së jetesës. Vendimi, i parashikuar në buxhetin e vitit 2026, hyn në fuqi që nga muaji janar, megjithëse është miratuar zyrtarisht këtë të premte.
Indeksimi prek një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë administratën publike, sistemin shëndetësor, Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve dhe struktura të tjera të shërbimit publik. Për këto kategori, rritja do të aplikohet mbi pagën e pozicionit dhe sipas gradës përkatëse, në masën 2.5 për qind.
Një element i ri i këtij vendimi është përfshirja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në skemën e indeksimit. Pas rritjes, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë arrin në 156 825 lekë në muaj. Po ashtu, nga indeksimi përfiton edhe Presidenti i Republikës, paga mujore e të cilit shkon në 435 625 lekë.
Në sektorin e shëndetësisë, përfitimi nga indeksimi përfshin mjekët, infermierët, personelin e urgjencës, teknikët e shkencave mjekësore dhe punonjës të tjerë mbështetës. Krahas rritjes së përgjithshme, do të vijojë edhe shtesa në pagë për orët shtesë të punës gjatë fundjavave dhe ditëve të pushimit zyrtar.
Për herë të parë, në këtë sektor do të aplikohet edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, me shtesa përqindore që variojnë nga 0.6%, 0.8% deri në 1%, për punonjësit me një eksperiencë nga 10 deri në mbi 30 vite pune.
Së bashku me rritjen e pagës minimale që hyri në fuqi në muajin janar dhe me indeksimin e miratuar, fondi i pagave për vitin 2026 arrin në rreth 10 miliardë lekë. Nga kjo paketë përfitojnë më shumë se 140 mijë punonjës, ndërsa efektet financiare përballohen nga buxheti i shtetit për këtë vit.