Indeksi i Korrupsionit: Shqipëria përmirëson pozicionin me 5 pikë

Transparency International ka publikuar raportin më të fundit mbi nivelin e korrupsionit në botë, duke përfshirë edhe vlerësimin për Shqipërinë.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI), vendi ynë është renditur në vendin e 80-të nga 180 shtete, duke shënuar një përmirësim prej 5 pikësh krahasuar me vitin 2023.

Ky indeks është një nga matësit më të përdorur për të vlerësuar perceptimin e korrupsionit në sektorin publik, bazuar në vlerësime nga ekspertë dhe përfaqësues të biznesit. Ai llogaritet përmes të paktën tre burimeve të pavarura të të dhënave, të cilat përfshijnë sondazhe dhe raporte nga institucione të njohura ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror.

Vlerësimi i një vendi në CPI përcaktohet në një shkallë nga 0 deri në 100, ku 0 tregon nivel të lartë korrupsioni dhe 100 sinjalizon një sektor publik të pastër. Përmirësimi i Shqipërisë në këtë renditje sugjeron një progres në perceptimin e korrupsionit, ndonëse sfidat mbeten të shumta.

Sipas metodologjisë së Transparency International, indeksi mbulon disa aspekte kyçe të korrupsionit në sektorin publik, duke përfshirë ryshfetin, devijimin e fondeve publike dhe përdorimin e posteve shtetërore për përfitime private pa pasoja ligjore.

Gjithashtu, ai analizon efektivitetin e qeverisë në frenimin e korrupsionit, nivelin e burokracisë, emërimet nepotike në administratën publike dhe transparencën e zyrtarëve në deklarimin e pasurive dhe konflikteve të interesit.

Një tjetër element i rëndësishëm i CPI është mbrojtja ligjore e sinjalizuesve të korrupsionit, si dhe shkalla e kapjes së shtetit nga interesa të ngushta. Qasja në informacion mbi aktivitetet e qeverisë dhe çështjet publike vlerësohet gjithashtu si një faktor kritik.

Ndërsa përmirësimi i vlerësimit të Shqipërisë përbën një zhvillim pozitiv, mbetet për t’u parë nëse ky progres do të përkthehet në hapa konkretë për rritjen e transparencës dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit.

Ndaj Postimin: