Incidenti me dronë në Novgorod, inteligjenca amerikane rrëzon pretendimin rus për Putinin

Pretendimi se Ukraina kishte synuar rezidencën e presidentit rus Vladimir Putin në rajonin e Novgorodit është hedhur poshtë nga vlerësimet e inteligjencës amerikane, sipas të cilave dronët nuk kishin këtë objektiv.

Analizat e kryera pas incidentit të 29 dhjetorit tregojnë se sulmi kishte në shënjestër një objektiv ushtarak të vendosur në të njëjtën zonë, por jo pranë rezidencës presidenciale. Sipas këtyre gjetjeve, nuk ka pasur asnjë përpjekje për të goditur Putinin apo pronën e tij private.

Deklaratat bien në kontrast me versionin e dhënë nga autoritetet ruse, të cilat kishin akuzuar Ukrainën për tentativë sulmi ndaj rezidencës së presidentit dhe kishin paralajmëruar kundërmasa si përgjigje.

Sipas informacioneve, drejtori i CIA-s e ka informuar Presidentin e SHBA-së për përfundimet e raportit, por deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar publik nga institucionet amerikane për këtë çështje.

Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për përpjekjet diplomatike, ndërsa akuzat dhe kundërakuzat mbi incidentin me dronë shtojnë paqartësinë dhe tensionin rreth negociatave të mundshme për paqe.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033