Një konflikt i nisur për parkimin e një automjeti ka përfunduar me plagosjen e një punonjësi sigurie në Spitalin Rajonal të Fierit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë dhe ka çuar në arrestimin e një shtetasi 44-vjeçar.
Sipas policisë, autori i dyshuar, Shkëlqim Murati, banues në Fier, kishte shkuar në spital për urgjencë dhe kishte parkuar makinën në mënyrë të tillë që pengonte qarkullimin e ambulancës. Punonjësi i sigurisë ka ndërhyrë duke e zhvendosur automjetin në një hapësirë tjetër brenda territorit të spitalit.
Pas këtij veprimi, mes dy personave ka nisur një debat verbal, i cili është përshkallëzuar. Gjatë konfliktit, 44-vjeçari dyshohet se ka goditur punonjësin e sigurisë me mjet prerës, duke i shkaktuar dëmtime në krah.
Policia bëri të ditur se punonjësi i sigurisë ka marrë dëmtime të lehta, ndërsa autori është arrestuar në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier.
Ngjarja po hetohet nga organet kompetente, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve ligjore.