Një automjet i shërbimit sekret amerikan u përfshi nga flakët pranë Shtëpisë së Bardhë, duke shkaktuar mbyllje rrugësh përpara vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Rrugës së 18-të me Avenue Pennsylvania, shumë afër kompleksit presidencial. Zjarri shpërtheu në pjesën e pasme të makinës, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë për “Just the News”, Amanda Head, e cila ndodhej në vendngjarje, konfirmoi se ajo pa flakët të përhapeshin me shpejtësi në sediljen e pasme të automjetit. Autoritetet ndërhynë menjëherë për të izoluar zonën.
Për shkak të incidentit, disa rrugë përreth u bllokuan përkohësisht, duke shkaktuar ngarkesë të madhe në qarkullim. Megjithatë, zyrtarët amerikanë sqaruan se ky ishte një defekt teknik dhe nuk kishte lidhje me sigurinë kombëtare.
Takimi i paralajmëruar midis presidentit amerikan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk është ndikuar nga ky episod. Programi zyrtar i vizitës vijon sipas planifikimit.
Ky rast vjen në një moment me vëmendje të lartë diplomatike në Washington, ku çdo situatë në afërsi të Shtëpisë së Bardhë monitorohet nga afër nga strukturat e sigurisë.
Autoritetet pritet të kryejnë hetime të detajuara mbi shkaqet e zjarrit, ndërsa automjeti është marrë në kontroll për ekzaminim të mëtejshëm.