Një qytetar në Mitrovicën e Veriut është dërguar me urgjencë në spital pasi pësoi probleme shëndetësore menjëherë pas votimit në zgjedhjet e sotme.
Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petroviq-Alas”, ku i riu, pavarësisht gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore, kishte vendosur të ushtrojë të drejtën e votës.
Menjëherë pas daljes nga qendra e votimit, ai ndjeu përkeqësim të gjendjes fizike dhe u desh ndërhyrja e ekipit mjekësor për t’i ofruar ndihmën e parë.
Në pamjet e publikuara nga vendngjarja, qytetari shihet nën kujdesin e mjekëve teksa transportohet me autoambulancë për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ekipet e emergjencës ndërhynë shpejt dhe e dërguan të riun në Qendrën e Kujdesit Familjar (QKF) për kontroll të mëtejshëm dhe mjekim.
Nuk dihen ende detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë informacione shtesë mbi rrethanat e incidentit.
Pavarësisht kësaj ngjarjeje, procesi zgjedhor në veri të Mitrovicës ka vijuar normalisht, ndërsa ekipet mjekësore dhe autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo rast emergjent.