Imuniteti i Ballukut drejt votimit: përplasje politike dhe debat kushtetues në Kuvend

Pas dy muajsh pa shqyrtim, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbylli në një seancë të vetme diskutimin mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Procesi përfundoi pa një qëndrim të unifikuar mes palëve politike.

Partia Socialiste kundërshtoi qëndrimin e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit, por nuk sqaroi publikisht pozicionin e saj përfundimtar ndaj kërkesës së SPAK.

Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur. Aktualisht ndaj saj është në fuqi masa e ndalimit për të lëvizur jashtë vendit. Masa e pezullimit nga detyra pret arsyetimin dhe botimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare, ndërsa kërkesa për masën e arrestit do të hidhet në votim në fillim të marsit.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura, prokurorët e SPAK argumentuan se masa e arrestit kërkohej për shkak të indicieve për prishje provash dhe intimidim të dëshmitarëve. Sipas asaj që u bë publike nga deputeti Gazmend Bardhi, prokurorët kanë pretenduar se anëtarë të kabinetit të Ballukut dhe persona të fortë dyshohet se janë përfshirë në shantazh ose në oferta për të blerë heshtjen e dëshmitarëve.

Çështja ka hapur debat edhe mbi rolin kushtetues të Kuvendit. Sipas ekspertëve ligjorë, parlamenti ka një rol procedural të kufizuar dhe nuk duhet të vlerësojë themelin e çështjes penale. Ata theksojnë se zhvendosja e debatit parlamentar drejt provave apo bazueshmërisë së akuzës bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, thekson se neni 73 i Kushtetutës synon të mbrojë ushtrimin e mandatit parlamentar dhe jo të krijojë pengesë ndaj ndjekjes penale. Sipas saj, kufizimi i imunitetit është i domosdoshëm që autoritetet e drejtësisë të veprojnë pa pengesa dhe vonesa për një hetim të plotë dhe të pavarur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë për të cilët ka dyshime serioze dhe të bazuara në prova për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Skëndaj shton se vonesat e krijuara nga Kuvendi, qëndrimet e Kryeministrit dhe mosmarrëveshja për pezullimin nga funksioni në Gjykatën Kushtetuese krijojnë një situatë kontradiktore krahasuar me precedentët e mëparshëm parlamentarë. Sipas saj, Kuvendi nuk vendos për masën e arrestit, por për t’i hapur rrugën veprimeve të drejtësisë.

Në të njëjtën linjë, juristi Gentjan Serjani vlerëson se pushteti ligjvënës nuk duhet të shndërrohet në pengesë për funksionimin e pushtetit gjyqësor. Ai thekson se neni 73 garanton mbrojtjen funksionale të mandatit dhe jo një mburojë bllokuese ndaj ndjekjes penale. Sipas tij, çdo praktikë që zgjat artificialisht procedurën bie ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Serjani thekson se Kuvendi ka detyrë të ushtrojë kontroll formal mbi procedurën, ndërsa gjykimi në themel i çështjes penale i përket ekskluzivisht organeve të drejtësisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033