Impianti i pastrimit të gazit në Delvinë dhe shkeljet e pretenduara të Policisë

Që prej vitit 2022, kompania koncesionare “Delvina Gas” operon ligjërisht me impiantin e pastrimit të gazit në vendburimin e Delvinës, nën mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore.

Në vitin 2022, kompania “Delvina Gas” përfundoi një investim të rëndësishëm prej 3.75 milionë dollarësh për ndërtimin e impiantit të pastrimit të gazit në zonën e Delvinës, në jug të Shqipërisë. Ky impiant është pjesë e kontratës koncesionare të lidhur në vitin 2007 midis qeverisë shqiptare dhe një kompanie private dhe shërben për pastrimin e gazit nga sulfidet e hidrogjenit, një substancë jashtëzakonisht toksike me erë të keqe.

Dokumente zyrtare nga “Albpetroli”, kompania shtetërore që zotëron vendburimin e Delvinës, tregojnë se përfundimi i punimeve të impiantit u miratua dhe kompania koncesionare caktoi dy inxhinjerë për mbikëqyrjen e tij. Kjo tregon se aktiviteti i “Delvina Gas” ka qenë i monitoruar dhe i autorizuar rregullisht.

Për më tepër, nga viti 2022 dhe vazhdimisht, kompania ka operuar brenda rregullave, duke u mbikëqyrur nga “Albpetroli”, Ministria e Infrastrukturës dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Aktiviteti i saj ka qenë i rregullt dhe i ligjshëm.

Në një aksion të papritur më 29 korrik 2025, disa punonjës të Policisë së Delvinës hynë në ambientet e kompanisë. Pa pasur ekspertizën e duhur dhe pa shoqërim nga specialistë teknikë, policia pretendoi se kompania po kryente ndërtim të një Termocentrali (TEC) pa leje.

Përballë akuzave, dy inxhinjerët përgjegjës të impiantit, Luan Metaj dhe Elton Malkaj, shpjeguan se ajo që policia quante “TEC” në fakt ishte impianti i pastrimit të gazit, i ndërtuar dhe certifikuar tre vjet më parë nga “Albpetroli”. Ata theksuan se nuk kishte asnjë punim të paligjshëm në proces.

Megjithatë, shpjegimet e inxhinjerëve u injoruan dhe nën urdhër të oficerëve të Anti-Krimit Ekonomik nga Vlora, ata u arrestuan për akuzën e ndërtimit pa leje. Para se të arrinin në komisariat, policia shpërndau menjëherë një njoftim në media për këtë “goditje të rëndësishme kundër paligjshmërisë në sektorin e hidrokarbureve”.

Në njoftimet policore u përmend edhe emri i biznesmenit Sokol Meqemeja, i cili dyshohet të jetë përfitues fundor i shoqërisë “Delvina Gas Company” Ltd, pjesë e degës së kompanisë së huaj me të njëjtin emër.

Në fotot e shpërndara nga Policia duket qartë një tabelë ku shkruhet “Impianti i pastrimit të gazit”, por policia e ka interpretur si “TEC”, duke bërë një gabim thelbësor tekniko-ligjor, pasi funksionet e këtyre dy pajisjeve janë të ndryshme.

Brenda disa orëve, prokurorja në Sarandë, Esmeralda Basho, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të inxhinjerëve, pasi nuk u gjet asnjë shkelje ligjore në veprimtarinë e tyre.

Ndërtimi i impiantit të pastrimit është pjesë e Planit të Punës të “Delvina Gas” për vitin 2022, i miratuar nga “Albpetrol” me vendimin nr.6, datë 2 shkurt 2022, ku Komiteti Këshillimor miratoi buxhetin dhe aktivitetet për vendburimin e Delvinës.

Komiteti përbëhej nga përfaqësues të “Albpetrolit”, përfshirë edhe Drejtorin Ekzekutiv Florian Muçaj, dhe përfaqësues të kompanisë koncesionare. Në këtë plan parashikohej ndërtimi, prokurimi dhe instalimi i impiantit për pastrimin e gazit nga H2S dhe përgatitja e tij për tregtim.

Ndërtimi i impiantit u konsiderua si pjesë e përmirësimit dhe modernizimit të infrastrukturës sipërfaqësore për menaxhimin e prodhimit të gazit, siç parashikohej në kontratën e vitit 2007 midis qeverisë dhe kompanisë.

Buxheti i miratuar për ndërtimin e impiantit ishte rreth 3 milionë dollarë, ndërsa shpenzimet totale operacionale, që përfshijnë edhe aktivitetet teknike të ngritjes së impiantit, arritën në 3.75 milionë dollarë.

Dokumentet e përbashkëta të “Albpetrolit” dhe “Delvina Gas Company” përmbajnë detaje teknike mbi mënyrën e pastrimit të gazit të nxjerrë nga vendburimi i Delvinës dhe cilësinë e produktit për treg.

Që nga viti 2022, impianti i pastrimit të gazit ka funksionuar normalisht, sipas standardeve dhe rregullave të parashikuara në kontratë.

Kjo ngjarje nxjerr në pah mungesën e komunikimit dhe saktësisë në veprimet e Policisë së Sarandës dhe nevojën për profesionalizëm më të lartë në kontrollin e sektorit të rëndësishëm të hidrokarbureve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033