Ilir Daja para ndeshjes me Skënderbeun: Mungesat nuk janë justifikim, objektivat e Dinamos janë të qarta

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka mbajtur një konferencë për shtyp para ndeshjes së tij ndaj Skënderbeut, duke theksuar rëndësinë e asaj që do të jetë një përballje e vështirë, pavarësisht renditjes së kundërshtarit.

Daja foli për javën e fundit të kampionatit, ku ndodhi një befasim, duke shtuar se, pavarësisht diferencave të dukshme në tabelë, ndeshjet duhet të merren seriozisht.

“Skënderbeu mbyll renditjen, por kjo nuk është në favor të Dinamos. Fakt është se nuk ka shumë diferenca në futbollin tonë. Nëse një ndeshje e merr me nënvlerësim, humbet po aq sa mund të marrësh kur je në nivelin maksimal. Çdo ndeshje vlen 3 pikë dhe nuk besoj se do të kemi asnjë shenjë euforie apo nënvlerësimi ndaj Skënderbeut, edhe pse mbyll tabelën e klasifikimit,” tha Daja.

Tekniku i Dinamos gjithashtu theksoi se ekipi ka performuar mirë deri tani, duke u pozicionuar në mesin e katër skuadrave kryesore, por ai është i kujdesshëm, pasi ka shumë pikë ende në lojë. Daja ka vlerësuar gjithashtu se skuadra e tij po i qas ndeshjet me shumë përkushtim dhe se çdo ndeshje është një mundësi për të fituar.

“Nuk e shohim ndeshjen, nëse kundërshtari është i fortë apo i dobët. Gjërat merren hap pas hapi dhe llogaritë do të bëhen në fund, sepse ka edhe shumë pikë. Nuk është vetëm një fjali që përdoret rëndom nga trajnerët, por është një periudhë me viruse dhe dëmtime. Ashtu si ne janë të gjithë ekipet e tjera dhe nuk dihet se çfarë ndodh në dinamikë gjatë zhvillimit të kampionatit,” shtoi ai.

Për sa i përket mungesave në skuadër, Daja theksoi se kjo nuk është një justifikim. Ai e theksoi se lojtarët e Dinamos janë të përqendruar dhe të angazhuar për të dhënë maksimumin në fushë. “Kemi mungesa edhe me Skënderbeun, por ky nuk është aspak justifikim. Djemtë janë me këmbë në tokë dhe e kemi marrë seriozisht këtë ndeshje, si gjithë të tjerat,” përfundoi ai.

Daja gjithashtu komentoi situatën në merkato, duke lënë të kuptohet se ka mundësi për ndonjë përforcim të mundshëm në ekip. “Të shohim deri në orën 12, nëse do të kemi ndonjë lajm të mirë, ndonjë dhuratë nga klubi për të forcuar ekipin. Më tej mund të shohim ndonjë lojtar pa kontratë, që mund të federohet,” përmbylli ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera