Ish-ministri Ilir Beqaj vijon të këmbëngulë në kërkesën për të pasur akses për të lexuar dosjen e tij, duke deklaruar se prej korrikut 2025 mbrojtja e tij i është drejtuar në mënyrë të përsëritur dhe me shkrim SPAK-ut me kërkesa dhe pyetje, pa marrë përgjigje.
Në një letër të publikuar nga avokati Ermal Yzeiraj, Beqaj shprehet se mbrojtja nuk ka kërkuar “sekrete hetimore” dhe as cenimin e ndonjë procesi, por sqarim mbi bazën teknike mbi të cilën ngrihet një provë që, sipas tij, mund të rëndojë mbi jetën e një njeriu. Ai thotë se përballë këtyre kërkesave ka pasur vetëm heshtje, duke ngritur pyetjen nëse mund të quhen “standarde të larta” metoda që nuk pranojnë të identifikohen dhe nëse mund të quhen “ndërkombëtarisht të njohura” praktika që nuk deklarojnë emrin e tyre.
Beqaj shprehet se vendosi t’i bëjë publike kërkesat, duke kërkuar të sqarohet se cilat janë standardet ndërkombëtare të digital forensics që zbatohen, kush i njeh apo i akrediton dhe prej cilës datë zbatohen. Ai thekson se kjo çështje duhet të jetë në vëmendje të KLGJ-së, KLP-së dhe ILD-së, ndërsa shton se edhe politika nuk duhet të qëndrojë mënjanë.
Në reagimin e tij, Beqaj argumenton se në praktikën penale pajisjet digjitale si laptopë, desktopë dhe smartphone trajtohen shpesh si prova materiale në kuptimin klasik, ndërkohë që, sipas tij, objekti real i ndërhyrjes janë të dhënat e ruajtura në to. Ai i referohet debatit mbi kuptimin e “sistemit kompjuterik” dhe garancitë procedurale kur organet e procedimit penal nxjerrin dhe kopjojnë të dhëna, duke iu referuar çështjes “Studio Pustina” dhe një sërë vendimesh gjyqësore.
Sipas tij, vendimet nr. 206 datë 01.06.2023 të GJKKO-së shkalla e parë, nr. 128 datë 15.09.2023 të GJKKO-së apel dhe nr. 00-2024-741 (26) datë 08.02.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, janë në kundërshtim me KEDNJ-në, Kushtetutën, Konventën e Budapestit dhe KPrP-në, lidhur me administrimin e të dhënave kompjuterike. Ai pretendon se ato keqlexojnë përkufizimin e “sistemit kompjuterik” në nenin 1 të Konventës së Budapestit dhe argumenton se kriteret për t’u quajtur “sistem kompjuterik” i plotëson edhe çdo smartphone.
Beqaj thekson se sekuestrimi i një pajisjeje nuk mund të jetë qëllim në vetvete, pasi qëllimi real janë të dhënat, dhe se sekuestrimi i të dhënave kompjuterike për qëllim të një procedimi penal rregullohet nga neni 208/a i KPrP-së. Ai kundërshton përdorimin e termit “mekanizma të automatizuar” si një kategori jo e qartë ligjore dhe paralajmëron se trajtimi i pajisjeve si “sende” rrezikon të anashkalojë garancitë për të dhënat.
Në vijim, Beqaj i referohet nenit 14 të Konventës së Budapestit, duke theksuar se dispozitat procedurale të saj, përfshirë mbledhjen e fakteve në formë elektronike të një vepre penale, janë në fuqi në Shqipëri prej më shumë se 20 vjetësh. Ai shprehet se shpërfillja e Konventës çon në procese të shumta gjyqësore dhe thekson se shumica e gjykimeve penale në Shqipëri lidhen me të dhëna të gjetura në pajisje ose platforma elektronike komunikimi.
Beqaj i referohet gjithashtu një parashtrimi të SPAK në Gjykatën Kushtetuese në çështjen Pustina, ku sipas tij thuhet se ekspertimi bazohet në “standarde të larta teknike, ndërkombëtarisht të njohura, për programet e përdorura”. Ai thekson se, nëse standardet ekzistojnë, ato duhet të mund të emërtohen dhe kërkon që kjo të sqarohet.
Në fund, Beqaj propozon që të ngrihet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar respektimin e Konventës së Budapestit dhe të procedurës penale në procedimet penale të regjistruara në Shqipëri pas vendimit njësues të Gjykatës së Lartë të dhjetorit 2021, ku janë sekuestruar kompjuterë ose smartphone. Ai shprehet se për shkak të keqleximeve dhe keqcitimeve të dispozitave ligjore, ka bashkëngjitur edhe një version më të shtjelluar të shënimit, me tekstet e plota të referimeve ligjore të përmendura.