Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena drejtojnë prej shumë vitesh Portin Detar të Vlorës, i pari si drejtor dhe i dyti si nëndrejtor. Të dy i lidh një e përbashkët: biznesi, pasi si Banushi ashtu edhe Tepelena, krahas posteve të rëndësishme shtetërore, janë edhe pronarë kompanish private. “Përvoja” në sektorin privat nuk i ka ndihmuar që të administrojnë pronën shtetërore, pasi çdo vit, muaj, javë apo ditë, Porti Detar i Vlorës po humbet shkëlqimin.
Nga njëra anë, “kafshimi” i territorit të portit nga ana e subjekteve private, pasi në atë territor po ndërtohen godina shumëkatëshe, dhe nga ana tjetër, keqmenaxhimi i dy drejtuesve, të cilët nuk e kanë vënë asnjëherë “ujin në zjarr” për atë që ndodh me rrogat apo bilancin financiar. Dhjetëra punonjës të Portit Detar të Vlorës kanë ngritur shqetësime serioze dhe denoncojnë veprimet e drejtuesve.
Punonjësit e Portit Detar të Vlorës deklarojnë se prej tre muajsh nuk kanë marrë pagat e tyre. Ata përballen çdo ditë me kushte pune skandaloze. Terminali i portit ndodhet në gjendje të rëndë infrastrukturore. Lagështira ka dëmtuar seriozisht ambientet dhe ekziston rreziku real që tavani të shembet, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve, policisë kufitare dhe pasagjerëve që udhëtojnë drejt Italisë.
Sipas tyre, pagat e punonjësve janë në nivele qesharake dhe të pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Punonjësit e Portit të Vlorës kërkojnë vetëm atë që u takon me të drejtë: pagesën e menjëhershme të rrogave të prapambetura, përmirësimin urgjent të kushteve të punës dhe respekt për dinjitetin e tyre njerëzor dhe profesional.
Situata në Portin Detar të Vlorës përshkruhet si sureale. Drejtuesit po veprojnë në mënyrë të tillë sikur ky aset strategjik i Shqipërisë të jetë i destinuar për falimentim. Kjo ndodh në kurriz të vetë shtetit dhe të punëtorëve, duke qenë se fillimisht portit iu mor territori, më pas u transferua vetëm në letra në Triport, por edhe atje procesi nuk ka përfunduar ende, për shkak se koncesioni i dhënë ka ndryshuar disa herë duar.
Nga dokumentet zyrtare rezulton se disa muaj më parë Asambleja e Përgjithshme e Portit Detar të Vlorës ka miratuar pasqyrat financiare. Në vitin 2024 shoqëria ka rezultuar me një fitim prej rreth 100 mijë eurosh. Ky fitim është përdorur për të mbuluar humbjen e mbartur, ndërkohë që deri në vitin 2025 shoqëria rezulton me një humbje prej 23 milionë lekësh të rinj.
Porti i Vlorës operon si shoqëri aksionare dhe është themeluar më 23 mars 1999. Sipas dokumenteve zyrtare, në fund të vitit 2024 kapitali i nënshkruar i shoqërisë Porti Vlorë sh.a. është 181,646,000 lekë. Administrator i shoqërisë është Ilir Banushi, ndërsa ortak i vetëm është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Veprimtaria kryesore e shoqërisë përfshin koordinimin e aktiviteteve tregtare brenda territorit të portit, ndërtimin, menaxhimin dhe ruajtjen e objekteve brenda portit, si dhe shkarkimin e mallrave për llogari të subjekteve juridike dhe shtetërore.
Mësohet se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për paga dhe shpërblime, në shifra që arrijnë deri në rreth 1 milion euro në vit. Në vitin 2023 shoqëria ka pasur 110 punëtorë, ndërsa deri në fund të vitit 2024 në Portin e Vlorës kanë punuar 99 persona. Pjesë e Këshillit të Administrimit janë Ilir Banushi dhe Kreshnik Tepelena, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga Bejko Late, Krist Bonjaku, Oriana Arapi dhe Lilika Radovicka.
Por kush janë dy drejtuesit që po e çojnë drejt falimentimit Portin Detar të Vlorës? Drejtori Ilir Banushi ka në pronësi një kompani të quajtur “IDE 360” dhe ka deklaruar se edhe bashkëshortja e tij ka një biznes privat. Para se të merrte detyrën, ai ka deklaruar të ardhura të ulëta, ndërkohë që pas marrjes së postit të drejtorit, financat e familjes kanë njohur rritje të ndjeshme, aq sa një nga djemtë e tij është angazhuar edhe në kriptomonedha.
Ndërkohë, nëndrejtori Kreshnik Tepelena është një emër i njohur në Vlorë, i proceduar dhe hetuar disa herë nga Prokuroria e Vlorës për abuzime me detyrat e mëparshme. Tepelena njihet si kushëri i Afrim Shehut, një biznesmen në arrati, i cili pretendon se është pronar i një pjese të madhe të pronave në Vlorë.
Tepelena ka tre biznese në pronësi dhe emri i tij lidhet me një sipërfaqe të madhe prone, zonë ranore dhe pyjore në Zvërnec. Me lidhje me persona me precedentë penalë ose me ndikim politik, Tepelena është përfshirë në konflikte dhe kërcënime ndaj personave që shfrytëzonin plazhet me leje nga Agjencia e Bregdetit.
Vitet kalojnë dhe të dy, Banushi dhe Tepelena, me lidhjet dhe veprimet e lartpërmendura, vijojnë të drejtojnë Portin Detar të Vlorës, duke e çuar drejt humnerës, gjithçka në dëm të vetë shtetit dhe të qindra punëtorëve