Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka regjistruar një hetim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me një dënim të dhënë nga drejtësia greke, i cili nuk rezulton i deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Sipas njoftimit të ILD, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se magjistratja mund të ketë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë shkelje disiplinore.
Burime bëjnë me dije se hetimi është nisur me iniciativë të ILD-së, pas ankesave të depozituara nga Gazment Bardhi dhe Adriana Kalaja. Në kuadër të verifikimeve, ILD pritet të administrojë dosjen e plotë nga Prokuroria e Përgjithshme, informacion nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) mbi formularin e dekriminalizimit, si dhe të dhëna nga SPAK për një procedim të nisur pas një kallëzimi në emër të gjyqtares Gjoka.
Në janar, Prokuroria e Përgjithshme i komunikoi KLGJ-së se Gjoka rezultonte e dënuar nga Gjykata e Janinës në vitin 2005 me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë. Sipas të dhënave, dënimi ishte konvertuar në gjobë dhe vendimi ishte arkivuar pa u ekzekutuar.
Në mbledhjen e 30 janarit, KLGJ vendosi me shumicë votash të mos niste verifikim të statusit të gjyqtares, duke argumentuar se kompetenca për hetimin disiplinor i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Nga ana e saj, Irena Gjoka ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë e njoftuar për ekzistencën e një vendimi penal nga autoritetet greke.