Ilaçe të skaduara dhe kontrabandë drejt farmacive të Fierit, policia arreston 42-vjeçarin

Një rast i rëndë i hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të futura kontrabandë është goditur nga Policia e Fierit, duke çuar në arrestimin e një 42-vjeçari që furnizonte farmaci në qytet.

Operacioni “Skadenca” u finalizua pas një hetimi disamujore, gjatë të cilit u dokumentua se shtetasi Bojken Bregovina magazinonte në banesën e tij sasi të mëdha medikamentesh jashtë afatit të përdorimit dhe pa dokumentacion tatimor. Gjatë kontrollit, policia gjeti 1 635 kuti me ilaçe të skaduara dhe 2 654 kuti të tjera pa faturë, në total 4 289 kuti medikamentesh.

Sipas hetimeve, këto produkte shpërndaheshin më pas në tregun farmaceutik të Fierit, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe duke shmangur detyrimet ligjore dhe fiskale.

42-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza penale, përfshirë tregtimin e barnave të rrezikshme, fshehjen e të ardhurave dhe veprimtarinë e kontrabandës.

Policia bëri të ditur se materialet janë referuar Prokurorisë së Fierit dhe se hetimet do të vijojnë për të verifikuar nëse ka subjekte të tjera të përfshira në shpërndarjen e këtyre medikamenteve në treg.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033