Ikën kolosi i kinematografisë shqiptare, ndahet nga jeta regjisori i njohur Piro Milkani

Regjisori legjendar Piro Milkani, një prej baballarëve të kinematografisë shqiptare, ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që do të mbetet përgjithmonë në historinë e artit shqiptar.

Shqipëria dhe bota e artit janë sot në zi pas ndarjes nga jeta të një prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë, Piro Milkani. Regjisori i shquar u shua në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme prej më shumë se gjashtë dekadash dhe dhjetëra filma të cilët janë kthyer në gurë themeli të kulturës sonë.

Ceremonia mortore për nder të tij do të mbahet sot në orën 13:00, ku miq, familjarë dhe artdashës do të japin lamtumirën e fundit kolosit të ekranit shqiptar. Mesazhi prekës i të birit, Eno Milkani, ka prekur thellë opinionin publik, duke sjellë në vëmendje lidhjen e veçantë që kishin jo vetëm si familjarë, por edhe si kolegë në art.

Iku babai, shoku dhe kolegu im!

Piro Milkani u njoh si një nga personalitetet më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, një mjeshtër që i fali publikut filma të paharrueshëm si “Kur zbardhi një ditë”, “Shtigje lufte”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lamerica” dhe shumë prodhime të tjera artistike. Këto filma mbeten edhe sot pjesë e pandashme e historisë sonë kulturore dhe janë ndër më të shikuarit e të vlerësuarit nga publiku shqiptar.

Në filmografinë e tij të pasur, e cila nis që në vitet ’60, spikat “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), një ndër prodhimet më të dashura për publikun. Vijoi me “Përse bien këto daulle” dhe “Kur zbardhi një ditë” në vitet 1969 dhe 1971. Ndërkohë, me filma si “Shtigje lufte” dhe komedinë “Çifti i lumtur”, Milkani i dha një hov të ri kinemasë shqiptare, duke sjellë në ekran kastën më të mirë të aktorëve të kohës.

Emocionet dhe kujtimet janë të lidhura ngushtë me prodhime të tjera si “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”, të cilat kanë lënë gjurmë të thella dhe janë kthyer në simbol të komedisë shqiptare. Lista e veprave të tij pasurohet me “Besa e kuqe”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në bashkëpunim me regjisorin italian Luciano Tovoli, “Ngjyrat e moshës”, si dhe filma ndërkombëtarë si “Lamerica” dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

Jeta e tij artistike nisi në Korçë, ku lindi më 9 dhjetor 1939. Pas përfundimit të gjimnazit, Milkani vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, duke u diplomuar si operator filmi. Gjatë kësaj kohe, ai realizoi filmin e tij të diplomës “Nenavist” (Mosmirënjohja), i cili i hapi dyert drejt një karriere të suksesshme në artin e shtatë.

Pasi u kthye në Shqipëri, filloi punën fillimisht si operator, për t’u bërë shpejt regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vitet në vijim, ai realizoi mbi 20 filma artistikë, duke u kthyer në frymëzim për shumë brezave të rinj kineastësh.

Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare u nderua me tituj të lartë dhe çmime të shumta, mes të cilave “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe medalja “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës.

Ndërsa Shqipëria i jep lamtumirën një prej figurave më të ndritura të artit, emri dhe vepra e Piro Milkanit do të mbeten përgjithmonë pjesë e pandashme e kujtesës sonë kombëtare, duke frymëzuar brezat që vijnë në rrugën e kinematografisë.

Ndaj Postimin: