I vuri tritol makinës së një polici në Lezhë, arrestohet pas dy ditësh i dyshuari

Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia në Lezhë si autor i dyshuar i shpërthimit me eksploziv ndaj automjetit të një punonjësi policie.

Ngjarja ndodhi më 15 mars në lagjen “Besëlidhja”, ku makina e një agjenti të krimeve u shkatërrua nga një sasi lënde plasëse.

Pas dy ditësh hetime, policia identifikoi dhe vuri në pranga Fatjon Rrikën, 32 vjeç, i cili rezulton me precedent penal në Itali për vjedhje me armë.

Sipas autoriteteve, ai u kap në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa lëvizte me të njëjtin ciklomotor që dyshohet se përdori për të shkuar në vendin e ngjarjes.

Identifikimi i tij u bë pas analizimit të pamjeve filmike në disa akse rrugore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zoomed In”.

Gjatë kontrollit në banesë, policia nisi procedim penal edhe ndaj babait të tij, N. Rr., 66 vjeç, pasi iu gjet një armë gjahu pa leje.

Autoritetet sekuestruan si prova materiale ciklomotorin dhe armën, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar edhe një person tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar në këtë ngjarje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033