Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të shënuar mbrëmjen e së enjtes, ku një sasi lënde plasëse u vendos në automjetin e Marash Gjikolës, 57 vjeç. Lënda shpërthyese dyshohet se ishte e komanduar me telekomandë dhe synonte shpërthimin gjatë lëvizjes së mjetit.
Ngjarja u shmang për pasojë më të rëndë pasi 57-vjeçari vuri re diçka të dyshimtë në automjet dhe njoftoi menjëherë policinë. Në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policore, specialistë të krimeve të rënda dhe njësia anti-eksploziv e RENEA-s, e cila kreu çaktivizimin e kontrolluar të eksplozivit.
Nga verifikimet rezulton se Marash Gjikola është një person me precedentë penalë. Ai ka qenë i dënuar më herët me tetë vite burg për tentativë vrasjeje. Prej kohësh ishte larguar nga zona e Lezhës dhe aktualisht jetonte në fshatin Shëndëlli, në afërsi të Konispolit.
Në kuadër të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Dedë Gjini, i dyshuar si i përfshirë në vendosjen e lëndës plasëse. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të ngjarjes.
Burime pranë hetimit nuk përjashtojnë mundësinë që atentati i mbetur në tentativë të ketë lidhje me konflikte të mëparshme apo hakmarrje, duke pasur parasysh të shkuarën kriminale të 57-vjeçarit.
Emri i Marash Gjikolës lidhet edhe me një episod të rëndë të ndodhur në vitin 2012 në Lezhë. Në atë kohë, një 40-vjeçar, Dedë Kovaçi, mbeti i plagosur me armë zjarri në fshatin Spitë, pasi u qëllua me dy plumba pistolete brenda një lokali. Sipas policisë, autor i dyshuar i asaj ngjarjeje ishte Gjikola, i cili u largua drejt zonës malore për t’iu shmangur arrestimit. Shkak i konfliktit dyshohej të ishte një mosmarrëveshje për pronën.
Hetimet për ngjarjen e fundit vijojnë, ndërsa policia ka forcuar masat e sigurisë në zonë dhe pritet të japë informacione të tjera në vijim.