Një shtetas shqiptar i dënuar për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Bëhet fjalë për Sokol Ndrekën, 51 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar në vitin 2024 me 6 vite burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ekstradimi u finalizua si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale mes strukturave të Interpolit në Tiranë dhe atyre në Wiesbaden të Gjermanisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Sipas hetimeve, më 31 tetor 2022, në rrugën dytësore Tiranë Durrës, u kapën në një automjet 15 shtetas të huaj, të cilët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme. Nga verifikimet rezultoi se Sokol Ndreka ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këtë aktivitet kriminal.
Pas lokalizimit dhe arrestimit të tij në Gjermani, u bë i mundur ekstradimi drejt Shqipërisë, ku 51 vjeçari do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore.