I dënuar me 25 vite burg në Itali, Ilir Paja lirohet nga qelia pas përfundimit të afateve të paraburgimit

Ilir Paja, i dënuar nga drejtësia italiane me 25 vite e 4 muaj burgim për vrasje, tentativë vrasjeje, rrëmbim personi dhe marrëdhënie seksuale me dhunë, është liruar nga qelia në Shqipëri pas përfundimit të afateve 3-mujore të paraburgimit. Vendimi u dha më 17 shkurt nga Gjykata e Apelit, e cila pranoi kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Lirimi erdhi për shkak se dokumentacioni i kërkuar nga autoritetet italiane për njohjen dhe zbatimin e dënimit në Shqipëri nuk mbërriti brenda afateve ligjore.

Çështja e Pajës ka kaluar nëpër disa shkallë të gjyqësorit, mes debateve për njohjen e vendimit italian. Gjykata e Apelit ka argumentuar se vonesat në përcjelljen e akteve kanë ndikuar në përfundimin e afateve të paraburgimit, duke vënë në dukje rolin e Ministrisë së Drejtësisë në komunikimin me palën italiane. Nga ana tjetër, Ministria ka sqaruar se çdo kërkesë është përcjellë në kohë dhe se vonesat kanë ardhur nga autoritetet italiane, jo për shkak të neglizhencës së saj.

I njohur me nofkën “Ufo” për arratisjet e bujshme nga burgjet italiane, Paja u arrestua në Shqipëri në nëntor 2022. Pas skadimit të afatit të paraburgimit dhe mungesës së dokumenteve përkatëse, ai siguroi zëvendësimin e masës me arrest shtëpie, nën mbikëqyrje policore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033