Më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë duke i dhënë fund një lufte të përgjakshme që zgjati gati dy vite dhe shënuan fillimin e një epoke të re për shqiptarët e Kosovës
Sot shënohen 26 vjet nga dita kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, duke e kthyer këtë datë në një nga më të rëndësishmet në historinë moderne të vendit. Më 12 qershor 1999, rreth 50 mijë ushtarë të Aleancës Atlantike zbarkuan në tokën kosovare, së bashku me misionin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë fund një konflikti shkatërrues dhe duke hapur rrugën drejt paqes dhe rindërtimit.
Pas 78 ditësh bombardimesh të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe të drejtuara kundër forcave ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, forcat paqeruajtëse të NATO-s u vendosën në Kosovë nën emrin KFOR. Kjo ndërhyrje ishte përgjigjja e Perëndimit ndaj represionit të egër ndaj popullsisë shqiptare të organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo ditë konsiderohet nga qytetarët si dita e çlirimit të vendit. Megjithëse nuk figuron si festë zyrtare, ajo përkujtohet gjerësisht si një moment historik ku ndodhi një ndër përplasjet më të tensionuara midis Perëndimit dhe Rusisë pas Luftës së Ftohtë. Analistët e kohës e kanë përshkruar 12 qershorin si ditën që “mund të kishte ndezur Luftën e Tretë Botërore”.
Trupat e para që hynë në Kosovë ishin nga forcat speciale të Norvegjisë dhe ato britanike SAS. Ato u përballën menjëherë me forcat ruse, të cilat një ditë më parë kishin marrë nën kontroll Aeroportin e Prishtinës në një përpjekje për të ndarë vendin dhe për të sjellë përforcime përmes ajrit. Ndërhyrja diplomatike e Uashingtonit bindi Bullgarinë, Hungarinë dhe Rumaninë të mos lejonin fluturimet ruse, duke shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm.
Pas bllokadës në pistën e aeroportit nga trupat amerikane dhe britanike, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi veprimin e saj si një gabim. Me këtë zhvillim, u konfirmua që NATO mbante kontrollin e situatës dhe çdo përpjekje për destabilizim u ndalua në kohë.
Hyrja e trupave të NATO-s bëri të mundur kthimin e më shumë se një milion shqiptarëve që kishin marrë rrugën e mërgimit për shkak të luftës. Familjet e ndara dhe komunitetet e shpërbëra rifilluan jetën e tyre në vendin e origjinës, falë sigurisë së ofruar nga misioni paqeruajtës.
Deri më sot, në Kosovë kanë shërbyer rreth 500 mijë trupa paqeruajtëse nga vende të ndryshme, shumica prej tyre nga vendet perëndimore. Ata sakrifikuan kohë, larg familjeve të tyre, për të kontribuar në stabilitetin dhe lirinë e Kosovës, duke mbetur pjesë e pashlyeshme e historisë së saj.