Humb jetën një 20-vjeçar në paraburgim pas dërgimit për ndihmë mjekësore

Një i ri që vuante masën e sigurisë “Arrest në burg” në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Shkodër ka ndërruar jetë më 25 janar 2026, pas transportimit me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Autoritetet bëjnë me dije se viktima është shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i lindur më 23 mars 2005 në Rumani dhe banues në Shkodër. Ai ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe ishte transferuar në IEVP Shkodër më 10 tetor 2024, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë paradites së sotme, shtetasi është gjetur nga personeli i shërbimit në gjendje të rënduar shëndetësore, duke qëndruar në shtrat. Menjëherë është aktivizuar shërbimi shëndetësor i institucionit, i cili pas vlerësimit mjekësor ka konstatuar parametra jetësorë të ulët.

Pas dhënies së ndihmës së parë, është vendosur dërgimi i menjëhershëm i të paraburgosurit drejt Spitalit të Koplikut. Gjatë transportit, stafi shëndetësor ka vijuar asistencën mjekësore, ndërsa në urgjencën e spitalit janë kryer procedurat e nevojshme. Pavarësisht ndërhyrjes, mjeku i urgjencës ka konstatuar ndërrimin e jetës së tij.

Institucioni penitenciar ka njoftuar organet kompetente dhe ka deklaruar se po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e rrethanave të rastit, në përputhje me kuadrin ligjor. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, sipas ligjit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033