Hoxha mbledh shtabin për situatën në Lindjen e Mesme: Siguria e shqiptarëve, përparësi absolute

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e ka nisur zyrtarisht detyrën duke vendosur në fokus zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre te qytetarët shqiptarë që ndodhen në këtë rajon.

Në ministri është mbledhur shtabi i posaçëm, së bashku me drejtuesit e institucionit dhe ambasadorët shqiptarë në vendet e Lindjes së Mesme, për të analizuar situatën dhe për të ndjekur nga afër çdo zhvillim.

Përmes një reagimi publik, Hoxha theksoi se siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute. Sipas tij, përfaqësitë diplomatike janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë dhe të gatshme për të ofruar informacion dhe mbështetje sa herë që nevojitet.

Ministria bëri të ditur se strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm, në varësi të ecurisë së situatës në vendet e prekura nga përshkallëzimi ushtarak.

Autoritetet shqiptare po monitorojnë zhvillimet në terren, ndërsa koordinimi me përfaqësitë diplomatike në rajon vijon pa ndërprerje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033